Mianmar, forcat e sigurisë hapin zjarr ndaj protestuesve, 2 të vdekur

Mos i humb

Të paktën dy persona humbën jetën në Mianmar pasi forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj turmës së mbledhur për të protestuar kundër grushtit të shtetit dhe arrestimit të anëtarëve të zgjedhur të qeverisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas faqes së internetit Myanmar Now, turma u mblodh në qytetin Mandalay sot për të protestuar ndaj grushtit të shtetit, duke u përballur me ndërhyrjen e ashpër të ushtrisë dhe policisë së Mianmarit.

Sipas pamjeve të publikuara, një ushtar shihet duke hapur zjarr ndaj turmës teksa policia po intervenonte me topa uji.

Sipas dëshmitarëve okularë, të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe gjashtë persona u plagosën rëndë gjatë incidentit.

Siç raportohet, pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë, grupi u shpërnda rreth orës 17:30 me kohën lokale dhe u largua nga sheshi i qytetit.

Numri i të vdekurve si rezultat i ndërhyrjes së forcave të sigurisë tani është rritur në 3, pasi më herët jetën humbi një protestuese 20-vjeçare e cila u qëllua në kokë më 9 shkurt në kryeqytetin Naypyidaw.

Grushti i shtetit në Mianmar

Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020, mori pushtetin më 1 shkurt dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit.

Më pas u arrestuan presidenti Win Myint dhe ministrja e Jashtme, njëherësh liderja e vendit, Aung San Suu Kyi, si dhe figura të tjera kryesore të partisë në pushtet Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing, i cili mori administrimin e vendit, premtoi rikthim në zgjedhje demokratike pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa liderja Aung San Suu Kyi i bëri thirrje vendit për të protestuar kundër grushtit të shtetit.

Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.

Disa vende, si SHBA-ja, Britania dhe Kanadaja, kanë vendosur sanksione ndaj zyrtarëve ushtarakë që organizuan puçin.

Kundër grushtit të shtetit në vend filluan protesta më 6 shkurt me kërkesën për kthimin në demokraci, ndërkohë që policia në disa raste ka ndërhyrë ndaj demonstruesve, kurse ushtria ka shpallur shtetrrethim në disa qytete.

Suu Kyi, paraburgimi i së cilës u vazhdua dy herë, do të mbahet prapa grilave të paktën deri në fillimin e një seance gjyqësore që është caktuar për më 1 mars.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit