
Gjykata Supreme në Mianmar do të vendosë të martën lidhur me apelin e dy gazetarëve të burgosur për raportimin e vrasjeve jashtëgjyqësore të muslimanëve Rohingya në shtetin perëndimor Rakhinë.
Wa Lone, 32 vjeç dhe Kyaw Soe Oo, 28 vjeç, u dënuan me 7 vjet burg shtatorin e kaluar për shkelje të Ligjit Zyrtar për hetimin e vrasjes së 10 burrave Rohingya.
Në fazën përfundimtare të procedurës së ankesës, avokatët mbrojtës kanë paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme kundër dënimit të muajit të kaluar. Gjykata mbajti seancën e parë për ankesën në kryeqytetin e vendit Nay Pyi Taw më 26 mars.
Një nga avokatët mbrojtës, Than Zaw Aung, për AA tha se vendimi përfundimtar do të merret nga Gjykata Supreme më 23 prill.
Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo ishin në mesin e stafit të Reuters-it që kohët e fundit fituan çmimin Pulitzer për raportim ndërkombëtar të një raporti hetimor që zbuloi masakrën e 10 burrave Rohingya në pjesën veriore në shtetin Rakhinë në shtator të vitit 2017.
Gruaja e Wa Lone, Pan Ei Mon, tha se shpreson që çmimi do të ndihmojë që burri i saj të lirohet nga burgu.
“Ajo që duam është e thjeshtë. Duam bashkim familjar. Ndërsa ai nuk bëri asgjë të keqe në ekspozimin e shkeljeve të të drejtave, ai e meriton atë”, tha ajo për AA gjatë bisede telefonike.
“Ne shpresojmë se ata do të lirohen”, shtoi Ei Mon.
Shteti Rakhine ishte epiqendra e goditjes ushtarake të vitit 2017 kundër muslimanëve Rohingya që detyruan rreth 760 mijë njerëz të iknin nga vendi duke shkaktuar kritika nga e mbarë bota.
Persekutimi i popullit Rohingya
Populli Rohingya, i përshkruar nga Kombet e Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.
Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.
Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA-s, i titulluar “Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar”.
Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.
Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017.
OKB ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë foshnja dhe fëmijë të vegjël, rrahje brutale dhe zhdukje të tjera të kryera nga forcat shtetërore në Mianmar. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.


