Pelegrinët myslimanë u mblodhën mëngjesin e së enjtes për të shënuar atë që konsiderohet dita më e rëndësishme e haxhit, Dita e Arafatit.
Besimtarët shihen duke ecur pranë Mekës, për t’u drejtuar malit Arafat, ku besohet se Profeti Muhamed mbajti predikimin e tij të fundit.
Disa prej të tyre e bënë udhëtimin në këmbë duke mbajtur bagazhet në temperatura që i kalonin 40 gradë Celsius.
Haxhi është i detyrueshëm një herë në jetë për çdo mysliman që mund ta përballojë atë dhe konsiderohet si një nga tubimet më të mëdha masive në botë.
Pelegrinët do të qëndrojnë deri në perëndim të diellit përpara se të shkojnë në fushën Muzdalifa, ku do të mbledhin gurë për t’i hedhur në kolonat prej guri. Rituali i goditjes me gurë shënon ditën e parë të Kurban Bajramit, ose festës së sakrificës, e cila do të festohet nga myslimanët në të gjithë globin.
Më shumë se 1.5 milion pelegrinë të huaj mbërritën në Arabinë Saudite për haxhin e këtij viti. Autoritetet saudite kanë marrë masa për të mos u përsëritur situata e vitit të kaluar ku si pasojë e nxehtësisë së madhe kanë humbur jetën mbi 1.000 njerëz.