Miliona njerëz në Meksikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada janë sot në pritje të eklipsit të plotë diellor, një spektakël i rrallë qiellor.
Eklipsi ndodh kur Hëna kalon midis Tokës dhe Diellit, duke bllokuar plotësisht pamjen e Diellit dhe duke e kthyer ditën në natë. Ajo që duket si një unazë e zjarrtë do të shihet duke konturuar Hënën.
Duke nisur mbi Oqeanin Paqësor, eklipsi do të zhvendoset në Meksikën veriore, dhe pasdite do të shfaqet në SHBA nga Teksasi në veri-lindje në Maine dhe më pas do të kalojë Kanadanë juglindore përpara se të përfundojë mbi Atlantikun e Veriut.
Korridori i ngushtë përfshin qytete të mëdha si Dallas, Indianapolis, Bufalo dhe Montreal, me një popullsi totale prej më shumë se 30 milion njerëz.
Ndjekësit e eklipsit kanë udhëtuar nga larg për të përjetuar atë që agjencia amerikane e hapësirës NASA e quan një “kryevepër kozmike”.
“Eklipset kanë një fuqi të veçantë. Ata i shtyjnë njerëzit të ndiejnë një lloj respekti për bukurinë e universit tonë,” tha shefi i NASA-s, Bill Nelson në konferencën e fundit për shtyp.
Eklipsi i fundit i plotë diellor në SHBA ndodhi në gusht 2017, në Meksikë në 1991 dhe në Kanada në 1979.
Pas ditës së hënë, Amerika e Veriut nuk do të përjetojë një tjetër eklips deri në vitin 2044.
Megjithatë, perspektiva e motit nuk është veçanërisht e mirë. Për SHBA-në, në shumë rajone parashikohen re, shi dhe stuhi, ndërsa pamjet më të mira priten në shtetet verilindore.
Shkencëtarët në bashkëpunim me NASA-n janë përgatitur për të vëzhguar, regjistruar dhe matur eklipsin diellor duke përdorur aeroplanë dhe balona.
“Bregdeti i Paqësorit të Meksikës do të jetë i pari që do të shohë eklipsin në orën 11:07 të mëngjesit”, tha NASA