Sekretari për Çështjet Ekonomike dhe Financave në Partinë e Lirisë, Petraq Milo deklaroi sot se me uljen e popullsisë nga 2.8 milionë në 2.4 milionë banorë është shtuar më shumë barra e borxhit për frymë.
”Sipas raportit të tremujorit të dytë të vitit 2024 të Ministrisë së Financave, raportohet se stoku i borxhit publik është 55.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke e reklamuar si nje sukses. Por, në fakt nga një analizë pak më e thelluar rezulton se Qeverisë i ka ardhur në ndihmë zhvlerësimi i kursit të këmbimit i euros në lekë”, tha ai në një deklaratë për shtyp.
“Ulja reale e borxhit publik duhet të vijë nga ulja e deficitit, nga rritja ekonomike, rritja e eksporteve, nga ulja e normave të interesit, nga ulja e defiçit primar dhe përmirësimi i balancës korrente fiskale, si nga reformat strukturore të ndërmarra, dhe jo nga luhatja spekulative e kursit të këmbimit. Janë dy tregues që tregojnë përkeqësimin e barrës së borxhit, është niveli i borxhit publik për frymë, dhe përqindja e shërbimit të borxhit në raport me shpenzimet e arsimit, të shëndetësisë dhe atyre sociale “, theksoi Milo
Sipas tij, krahasuar me vitit 2013 stoku i borxhit publik në lekë është rritur 1.5 herë dhe në euro është rritur në mbi 2.1 herë.
Më tej ai shtoi se me uljen e popullsisë nga 2.8 milionë në 2.4 milionë banorë është shtuar më shumë barra e borxhit për frymë, krahasuar me vitin 2013. Ndërsa borxhi për frymë në euro në vitin 2013 ishte 2 180 euro në vitin 2024 është 5 634 euro për frymë, ose me një rritje në 2.6 herë
“Shqipëria shpenzoi për sherbimin e borxhit në vitin 2023 në mbi 100 miliardë lekë, ose në mbi 14 % të shpenzimeve totale publike, ndërsa për arsimin në 6.8% të shpenzimeve totale, për shëndetësinë në 6.2%, dhe për përkrahjen sociale në 4.2% të shpenzimeve publike”, deklaroi Milo.