Ministrat e Jashtëm të BE-së diskutojnë sot dialogun Kosovë-Serbi

Mos i humb

Dialogu Kosovë-Serbi, sanksionet e mundshme ndaj Rusisë për rolin e saj në helmimin e politikanit të opozitës, Aleksei Navalny dhe situata në Bjellorusi do të diskutohen sot nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian.

I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak do t’u raportojë ministrave të vendeve anëtare për ecurinë e dialogut dhe problemet, në të cilat ka hasur deri më tani.

Ndërsa, në lidhje me helmimin e liderit opozitar rus Navalny, Franca dhe Gjermania javën e kaluar paraqitën propozime për të vendosur sanksionet ndaj individëve rusë, përgjegjës për helmimin e tij dhe ndaj një njësie të përfshirë në programin që prodhon një agjent nervor nga grupi Noviçok.

Propozimi i sanksioneve erdhi pasi Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), më 6 tetor, konfirmoi gjetjet e laboratorëve të specializuar në Gjermani, Francë dhe Suedi se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor nga grupi Noviçok.

Gjermania dhe Franca akuzuan Rusinë për dështim në hetimin e plotë të rrethanave të helmimit të Navalny-t në një deklaratë të përbashkët, më 7 tetor, të ministrave të Jashtëm.

Është e paqartë nëse ministrat e Jashtëm të BE-së do të bien dakord mbi sanksionet në këtë takim apo do ta shtyjnë vendimin për një datë të mëvonshme.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit