Ministri francez mbron hetimin e gazetarëve që “zbuluan sekret shtetëror”

Mos i humb

Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, ka mbrojtur marrjen në pyetje të gazetarëve të cilët kohë më parë kanë raportuar për përdorimin e armëve franceze në luftën e Jemenit, ku shumë organizata shprehen se ekzistojnë shkelje të të drejtave të njeriut.

Nën pretekstin e “zbulimit të sekretit të sigurisë kombëtare”, Departamenti i Inteligjencës së Brendshme (DGSI) ka marrë në pyetje disa gazetarë, tre muajin e kaluar dhe njërin këtë muaj, të cilët raportuan se armët që Franca i ka shitur Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) përdoren në luftën e Jemenit.

Duke folur në radion France Inter, ministri francez Le Drian e ka mbrojtur marrjen në pyetje të gazetarëve, duke thënë se kjo është “pjesë e funksionimit të shtetit”.

Le Drian madje tha se është e nevojshme që autoritetet të nisin procedurë ligjore ndaj personave pa të drejtë qasjeje në dokumente të cilët kanë shpalosur të dhëna rreth sigurisë kombëtare.

“Nëse vendit tonë nuk i ngelet privatësi apo dokument sekret lidhur me mbrojtjen për garantimin e sigurisë, atëherë ne biem në një situatë shumë të vështirë”, është shprehur kryediplomati francez.

Shumë gazetarë dhe sindikata kanë reaguar ndaj marrjes në pyetje të gazetarëve, të cilët argumentojnë se personat e marrë në pyetje janë të mbrojtur me ligjin e 29 korrikut të vitit 1881 mbi lirinë e shtypit të bazuar në parimin e ruajtjes së privatësisë së burimeve në lajmet që kanë për qëllim informimin e opinionit.

Ndryshe, sipas raportimit në fjalë që ka nxitur polemikën, të publikuar nga organizata mediatike Disclose, armët franceze janë duke u përdorur në Jemen kundër rebelëve Huthi, të dhëna këto që bazohen në një dokument të klaisifikuar të datës 25 shtator 2018 të Departamentit të Inteligjencës Ushtarake.

Siç raportohej, në këtë dokument gjendeshin të dhëna të detajuara lidhur me armët që përdoren në Jemen, ndërsa thuhej se 35 civilë kanë humbur jetën në 52 sulme midis marsit të vitit 2016 dhe dhjetorit të vitit 2018 në rajonet ku janë përdorur 48 obusë francezë të tipit “Caesar”.

Po ashtu, në Jemen përdoren edhe 70 avionë francezë dhe tanke që Franca ia ka shitur EBA-së në vitet 1990.

Sipas dokumentit, Rijadi ka ndërmarrë 24.000 sulme ajrore në territoret e kontrolluara nga rebelët nga marsi i vitit 2015 e deri më tani, gjatë të cilave avionët i ka furnizuar me teknologji franceze të prodhuar nga firma franceze Thales.

Në dokument thuhej se shteti francez vazhdon t’i shesë armë Arabisë Saudite dhe deri në vitin 2023, këtij vendi do t’i dorëzojë 147 topa.

Dokumenti në fjalë i është dorëzuar edhe presidentit francez Emmanuel Macron, ministrit të Jashtëm Jean-Yves Le Drian dhe ministres së Mbrojtjes Florence Parly gjatë një takimi mbi Jemenin të Këshillit të Mbrojtjes së Kufizuar më 3 tetor të vitit 2018, thuhej në lajm.

Gjatë një fjalimi në Kuvendin Kombëtar më 13 shkurt, Le Drian ishte shprehur se Forcave Ajrore të Arabisë Saudite nuk i është dorëzuar asgjë.

Ndërkaq, Parly për radion France Inter më 20 janar kishte deklaruar se armët franceze nuk përdoren në Jemen.

Arabia Saudite dhe EBA janë anëtarë të një koalicioni ushtarak që sulmon pozicionet e rebelëve Huthi në Jemen që nga viti 2015, një vit pasi grupi rebel mori kontrollin mbi pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Shumë organizata ndërkombëtare, politikanë dhe figura të ndryshme akuzojnë Arabinë Saudite për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut gjatë kësaj fushate ushtarake.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit