Moralizimi i shoqërisë! Nga Abdullah Klinaku

Mos i humb

Shkruan: Abdullah Klinaku

Një shoqëri nuk e rrënon varfëria por mungesa e vlerave morale dhe etike brenda asaj shoqërie, ishte mendimi i Sharl Monteskie.

Nuk kishte mundësi të vinte te një përfundim tjetër përveç këtij mendimi përderisa me një shikim historik vihet re hapur një e vërtetë si kjo. Shoqëria e parë islame, me të cilën ndajmë vlerat e përbashkëta shpirtërore e besimore, u ngrit mbi varfëri por qëndroi aq sa ju përmbajt vlerave themelore të saj.

Perandoria Osmane, nga një grup nomadësh e të varfërish u shndërrua në perandori të tre kontinenteve. Në kohën moderne edhe Gjermania e Japonia u ri ngritën mbi rrënojat e varfërisë. Ashtu sikur vendi ynë, Kosova, e cila u ngrit për vite me radhë me plotë vuajtje, vështirësi e varfëri deri sa arritëm ku jemi sot.

Të gjitha këto rikujtime historike të kohërave të ndryshme që sollëm, na e fuqizojnë mendimin se një shoqëri ngritët mbi vlerat e fuqishme morale të saj e jo vetëm mbi mundësitë ekonomike. Shpirti revolucionar e ngritës i një shoqërie nuk është ne xhepin e asaj shoqërie por në shpirtin e saj dhe në moralin e saj të lartë.

Për ta mbajtur dhe për ta zhvilluar edhe më tutje e më fuqishëm vendin tonë, është detyrim i yni ti përkushtohemi moralizimit të shoqërisë sonë. Moralizimit në kuptimin e gjerë. Të moralizojmë individin, familjen, shoqërinë e pushtetin.

Përkushtimi ynë për të moralizuar çdo sjellje të çdo individi në shoqërinë tonë, duke filluar çdo njëri me veten është qëllim fisnik. Ne duhet ta kuptojmë si tërësi se vendit tonë dhe shoqërisë sonë i duhet një punëtorë i moralshëm në punën e tij, i disiplinuar e jo improvizues.

Duhet moralizimi i amvisës sonë, bujkut tonë, intelektualit tonë, mësimdhënësit, fetarit e jo fetarit, doktorit, juristit,  ekonomistit, inxhinierit, politikanit, opozitarit e pushtetarit. I duhet morali taksistit, vozitësit, recepsionistit, elektricistit e çdo zanatliu. Na duhet morali i cili na mëson të jemi të përkushtuar ndaj punës sonë, ndaj amanetit që marrim dhe ndaj përgjegjësive që kemi.

Morali duhet për rinin tonë. Të largohet nga humbja e kohës, mos mësimi, neglizhenca, duhani, alkooli, droga, pa ndershmëria e punët e kota që rrënojnë konceptin e saj etik për moralin, konceptin e saj se çfarë është mirë e çfarë është keq. Nëse rinia jonë edukohet në formë të pa moralshme, ajo kështu do të rritet dhe do ta jetojë jetën.

Do të mbetet gjithmonë duke improvizuar, duke u shtirur kinse ka moral, kinse studion e kinse punon dhe vyen për vendin tonë. Rinia që rritet pa parimet e moralit përmbajtësor nuk do të jep fryte përmbajtësore gjatë tërë jetës së saj. I tillë e jo përmbajtësor do të jetë çdo njëri nga ne, që rritet duke improvizuar në lexim, mësim, vlerësim e gradim.

Moralizimi për sjellje të matur, urtësi, edukim, kulturë, arsim e lexim të vazhdueshëm duhet të jetë i pandalshëm. Shoqëria e cila moralizohet me përkushtim, disiplinë, dituri, ndershmëri, besnikëri, liri, drejtësi, solidaritet, respekt të ndërsjellë, vlerësim reciprok, mirëkuptim e dashuri për njëri tjetrin është shoqëria e cila e fuqizon veten e saj. E mban fortë dhe shtetin që buron prej kësaj shoqërie dhe e ardhmja e tij do jetë e ndritshme.

E kemi për obligim dhe detyrim që ti përkushtohemi vlerave morale me qëllim që ta fuqizojmë drejtësinë, ekonomin, arsimin, shëndetësinë, tregtinë, diplomacinë e në përgjithësi vendit tonë. Përndryshe, sa do që mendojmë se kemi arritur progres në rast të humbjes së vlerave morale vlerësimi do të jetë i barabartë më hiç gjë./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit