MOS E KONSULTO NJERIUN DEKURAJUES

Mos i humb

Një kohë vazhdonte të më joshte ideja ta shkruaja një libër për Të rinjtë e sahabëve, por luhatesha në marrjen e vendimit, nuk dija se a t’ia filloja apo të tërhiqesha. Kështu vendosa të konsultohesha me një shok timin, i cili më dekurajoi tepër dhe më tha: “Kjo punë kërkon shumë kohë dhe përpjekje të madhe. E pamundur është që ta realizojë një individ, por duhet të jetë projekt grupor.”

Pas këtyre fjalëve nuk më mbeti tjetër përveçse ta braktisja këtë ide.

Kaloi një kohë pas konsultës me mikun tim. Një ditë duke u përgatitur për ligjëratën me temën Adoleshentët sipas një këndvështrimi tjetër, më ra në dorë një libër i cili e trajtonte një pjesë të temës që e lashë pas konsultës me shokun tim. Libri përmbante shembuj për të rinjtë e sahabëve me të cilat u argumentova në ligjëratë. Ta them të drejtën, autori i librit nuk e kishte dhënë mundin sa duhej gjatë hulumtimit, mirëpo ndikoi tek unë në rikthimin e idesë për ta shkruar librin Të rinjtë e sahabëve. Kështu vendosa të filloja e ta shkruaja librin.

Hapi i parë që duhej të merrej për ta realizuar këtë ide ishte të përcaktohej kriteri se kush duhej të përfshihej në këtë moshë prej sahabëve. M’u desh të hulumtoja në librat që e trajtonin temën e jetëpërshkrimit të sahabëve dhe t’i veçoja prej tyre ata që përputheshin me kriterin që e caktova paraprakisht në mendjen time. Radha pastaj i vinte studimit të rasteve dhe ndodhive të tyre. Këta ishin hapa që kishin nevojë për përpjekje dhe studim të gjatë.

Pasi hulumtova në librat e jetëpërshkrimeve dhe i krahasova në mes vete, e zgjodha librin El-Isabe të autorit Ibn Haxher el-Askalanij, Allahu e mëshiroftë, që prej aty t’i merrja emrat e sahabëve për librin tim. Libri dallohej nga librat e tjerë shkaku se përmbante informacione për jetepërshkrimet e sahabëve edhe prej librave të mëhershëm. Fillova me leximin e librit dhe i veçoja prej aty të gjithë emrat që i përshtateshin kriterit për librin tim.

Më pas fillova t’i tuboja rastet dhe ndodhitë e tyre. Më duhej të lexoja edhe në libra dhe burime të tjera, por nga frika se do të më iknin gjëra të rëndësishme duke u marrë me libra të tjerë, më shtyri t’ua besoja këtë përgjegjësi disa nxënësve të mi të dalluar. I ngarkova ta lexonin librin El-Isabe dhe t’i nxirrnin prej aty sahabët sipas kritereve në vijim:

– Sahabiut t’i caktohet viti i pranimit të Islamit dhe viti i vdekjes së tij.

– Të nxirren informacione nga jetëpërshkrimi i tij për ta dalluar moshën e tij, a ka qenë i vogël apo i ri në moshë.

– Të nxirren informacione për të gjithë sahabët e rinj të cilët prindërit i kanë pasur sahabë.

Ibn Haxheri librin e tij El-Isabe e ndau në katër pjesë dhe ato janë ashtu si i sqaroi vetë autori:

Pjesa e parë: Në këtë pjesë i përfshiu sahabët që shoqërimi i tyre i Pejgamberit g është vërtetuar prej transmetimeve të tyre apo prej të tjerëve, pavarësisht rrugës së transmetimit a është e saktë, apo e mirë, apo e dobët, apo janë përmendur në ndonjë lloj forme që aludon në shoqërimin e tyre të Pejgamberit g.

Pjesa e dytë: Këtu i përfshiu fëmijët sahabe të cilët kanë lindur në kohën e Pejgamberit g dhe prindërit i kanë pasur sahabë, ndërsa mosha e tyre ka qenë më e vogël se shtatëvjeçare (mosha kur fëmija i dallon gjërat), kur ndërroi jetë Pejgamberi g. Këta fëmijë janë përfshirë në mesin e sahabëve nga fakti se prindërit të porsalindurit e tyre i dërgonin te Pejgamberi g i cili me gishtin e tij ua fërkonte qiellzën e gojës me hurmë, i emërtonte dhe lutej për ta për bereqet. E gjithë kjo nënkupton se Pejgamberi g i ka takuar ata fëmijë.

Pjesa e tretë: Në këtë pjesë i përfshiu personat të cilët kanë jetuar në kohën para Islamit dhe në periudhën e Islamit, por nuk dihet ndonjë transmetim që tregon se ata kanë arritur ta takojnë apo ta shohin Pejgamberin g pavarësisht a e kanë pranuar apo nuk e kanë pranuar Islamin duke qenë i gjallë Pejgamberi g. Këta nuk janë sahabë (por u thuhet muhadramë) me unitet të dijetarëve që merren me shkencat e hadithit.

Pjesa e katërt: Këtu i përfshiu personat të cilët janë përmendur në librat e biografive të sahabëve, por  këta persona janë përmendur gabimisht, sepse nuk ishin sahabë. Këto gabime i sqaroi në këtë pjesë.[1]

Pjesa e parë ishte më e përfshirë dhe më e gjerë me personalitete të sahabëve, prandaj, në veçanti, m’u desh të isha i kujdesshëm me këtë pjesë. Prej aty i nxora të gjithë emrat që përshtateshin me kriteret e studimit tim, më pas bëja krahasime me të dhënat që kishin arritur t’i nxirrnin nxënësit e mi, derisa e vërtetoja që emrat e sahabëve ishin të njëjtë. Nxënësit e mi e meritojnë t’i falënderoj për mundin që e dhanë së bashku me mua.

Pas kësaj nisa të lexoja hollësisht në librat e historisë dhe në leksikone, të hulumtoja në enciklopedinë e gjashtë librave të hadithit të përmbledhura në CD në atë kohë, të lexoja në transmetimet e sahabëve të rinj në moshë prej te Musnedi i imam Ahmedit, duke marrë parasysh faktin se hadithet te ky libër janë të renditura sipas emrit të sahabiut dhe transmetimet e tij.

Pastaj shfletova në librat e historisë, lexova për biografitë e tyre në librin Sijeru ealam en-nubela dhe në libra të tjerë, pastaj, për siguri, lexova në librin Esedul gaje. Materialin e këtij libri Ibn Haxheri e ka përfshirë në librin e tij. Prej meje kërkohej të hulumtoja, të lexoja dhe ta përmblidhja materialin e nevojshëm, sepse ky libër dallohej prej librave të tjerë, ata më shumë mbështeten në ide sesa në të qenët e saj lëndë shkencore.

Në fund u botua libri Të rinjtë e sahabëve dhe për këtë e falënderoj Allahun. E ndiej që është libri më i mirë që e kam shkruar, për shkak se mundin që e kam dhënë në të ka qenë diçka jo e zakonshme.

– Konsultimi është i rëndësishëm, nganjëherë bëhet shkak të të largojë prej një gjëje të papërshtatshme që e dëshiron me gjithë entuziazëm, apo të të stimulojë të vazhdosh një çështje që je i lëkundur në to, apo mund të të çojë ta ndryshosh ecurinë e projektit tënd. Në të kundërtën, jokonsultimi mund të të çojë ta lësh ndonjë ide me ndikim apo të lësh ndonjë projekt të rëndësishëm duke e kërkuar atë në vendin e gabuar.

Në këtë kontekst po e përmendi rastin me një person i cili më konsultoi për një projekt që dëshironte ta prezantonte para një organi kompetent. Atë që e dija unë ishte se ata nuk merrnin përsipër projekte të tilla. Për këtë shkak e dekurajova si shumë, mirëpo, fatmirësisht, nuk e mori për bazë konsultën time. Shkoi e prezantoi projektin para organit kompetent, ata e pranuan projektin dhe në fund doli të jetë i suksesshëm. Unë e falënderova Allahun që ky njeri nuk e mori konsultën time.

– Ajo që e mësova në temën e konsultimit është t’u largohemi personave të ngjashëm me këta:

I pari: Personit të ngutshëm, i cili shumë shpejt mahnitet me idenë pa iu qartësuar. Ai përherë e pëlqen çdo ide që i propozohet atij dhe të shtyn menjëherë ta realizosh atë.

I dyti: Personit pesimist dhe dështak. Ky lloj përherë e mendon dështimin për çdo projekt dhe menjëherë i sillen nëpër mend pengesat. Është tip tej mase i ndjeshëm karshi rreziqeve.

Prej këtij soji duhet të largohemi, sepse vazhdimisht janë pesimistë. Më kujtohet një herë ia dhashë një personi librin e parë që e pata shkruar e ai e mbushi atë me shënime që ndoshta ia tejkalonin madhësisë së librit. Kur filloi të m’i lexonte shënimet, nuk u kushtova rëndësi vërejtjeve të tij. Në fund doli libri si më mirë, elhamdulilah.

I treti: Personit joprofesionist dhe joadekuat. Specializimi në një fushë nuk është domosdo të jetë i lidhur me emërtimet e fushave shkencore. Dikush mund të jetë i profesionalizuar në fushë shkencore e tjetri të jetë i profesionalizuar në punë me përvojën e vazhdueshme. Sado që njeriu të jetë i ngritur në dijeni dhe njohje, nëse e konsulton për një çështje e cila nuk është fusha e tij, ekziston mundësi e madhe të mos përfitosh shumë prej tij, bile, ndoshta, mund të të largojë nga një gjë e rëndësishme apo projekt i suksesshëm.

Këtë mund ta shohim praktikisht në jetëpërshkrimin e Pejgamberit g i cili gjatë konsultimit e merrte mendimin e profesionistit. Kur deshi të arrinte marrëveshje për paqe me fisin Gatafan, në betejën e Ahzabit, në kompensim me dy të tretat e frutave të Medines, nuk u konsultua me Ebu Bekrin dhe as Omerin, madje me asnjërin prej muhaxhirëve (ata që emigruan prej Mekes për Medine), por e thirri Sad ibn Muadhin dhe Sad ibn Ubaden j. I konsultoi ata dy sepse ishin nga udhëheqësit e Medines, që nënkupton se çështja lidhej në rend të parë me banorët e Medines. Mendimi i të dyve ishte të mos pranonte, kështu që Pejgamberi g e mori mendimin e tyre.

Gjatë rastit kur e akuzuan në nder Aishen i, Pejgamberi g nuk e konsultoi Ebu Bekrin dhe Omerin k, por i konsultoi dy të rinjtë, Alij ibn Ebi Talib dhe Usame ibn Zejdin k. Ata dy ishin të afërt me shtëpinë e Pejgamberit g e dinin për shtëpitë e Pejgamberit g atë që të tjerët nuk e dinin. Usame ibn Zejd e shfaqi afërsinë që e ndiente për ta si familje dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Pasha Allahun, familjen (gruan) tënde e njohim veç për të mirë.” Ndërsa Aliu tha: “O i Dërguari i Allahut! Allahu ty nuk t’i ngushton gjërat, ka shumë gra të tjera.[2] Megjithatë, pyete shërbëtoren, ajo mund të të tregojë diçka nëse di.” Pejgamberi g e thirri Berirën dhe i tha: “Berira! A ke parë diçka tek Aisha që të bën të dyshosh?” Berira tha: “Jo, pasha Atë që të dërgoi ty me të vërtetën (shpalljen)! Diçka të pazakontë nuk kam parë tek ajo, përveçse që është e re (dhe e papërvojë), kur e gatuan brumin, harron dhe nuk e mbulon atë, e pastaj vjen gjeli dhe e ha brumin.”[3]

Po ashtu e mësova se duhet t’i kemi parasysh dallimet e projekteve dhe llojllojshmërinë e tyre. Ka projekte që për to mjafton të konsultohesh me atë që është afër dhe arrin lehtë tek ai, njëkohësisht, ka projekte që detyrohesh të konsultohesh me më shumë se një person që ka përvojë, sikur te projektet që kërkojnë mund të madh dhe shpenzime të mëdha, apo te projektet të cilat janë të rrethuara me paqartësi dhe me rreziqe reale në fitim dhe humbje apo dështim.

Projektet e tilla kërkojnë konsultim të matur, diskutim dhe bisedë të hollësishme me ata që i konsulton.

Nganjëherë, ndoshta, kërkohet laramani e njerëzve që i konsulton, njëkohësisht, e konsulton atë që tek ai mbisundon guximi e më pas atë që tek ai dominon qetësi dhe maturia, pastaj në fund ti e merr vendimin dhe e bart përgjegjësinë e projektit.

Dr. Muhamed Duvejsh

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit