Mos e lësho gjuhen se do të dëmtosh veten tënde dhe të tjerët

Mos i humb

Kijeni frikë Allahun e Madhërishëm, i Cili ju zbukuroi me petkun e besimit, dhe mirësitë e të Cilit vazhdimisht zbresin mbi ju. Dijeni se të devotshmit janë pikërisht ata me gjendjen më të mirë në këtë botë dhe janë ata që do të kenë ardhmërinë më të lumtur në botën tjetër. Thotë Allahu: “…atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia lehtësojë çështjen” dhe: “…atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’ia shlyejë veprat e liga dhe do t’ia rrisë shpërblimin”. (Et-Talak, 4-5)

“Nëse zgjedh dikë dhe e merr për mik të ngushtë Atëherë, vetëm për hir të Gjithëmëshirshmit le të jetë vëllazëria.Mos barazo asgjë me devotshmërinë dhe largohu nga lajthitja e përtacia.Eh, si ka mundësi që gëzohesh me jetën,
Kur ditët e saj janë të numëruara” (Vargje poetike).

Vërtet, Allahu i Lartësuar jua ka dhuruar një gjymtyrë të rëndësishme dhe një mjet komunikimi madhështor. Kjo gjymtyrë ka dobi të panumërta dhe qëllime të larta. Mirëpo, megjithëkëtë, paraqet një rrezik aktiv dhe real për njeriun si në këtë botë, ashtu dhe në botën tjetër. Kjo gjymtyrë është gjuha.

Transmeton Tirmidhiu nga Ebi Se’id el–Hudri se Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur zgjohet njeriu, të gjitha gjymtyrët e tij i kthehen e i nënshtrohen gjuhës duke i thënë: “Ki frikën Allahut lidhur me ne, sepse ne jemi me ty. Nëse ti je në rrugë të drejtë, edhe ne jemi në rrugë të drejtë, e nëse ti lajthitë, edhe ne kemi lajthitur”.

Gjithashtu transmeton Tirmidhiu nga Mu’adh ibën Xhebeli se Pejgamberi (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) i tha atij: “Zotëro me këtë (d.m.th gjuhën tënde)” Atëherë, Mu’adhi i tha: “O i Dërguar i Allahut! A do të merremi në përgjegjësi për atë që flasim?!” Pejgamberi (sallallahu alejhi ue sel-lem) tha: “Mos të pastë nëna, o Mua’dh! Po a i përmbytë njerëzit në zjarrin e xhehenemit gjë tjetër përveç pasojave të gjuhëve të tyre?!” Përmes kësaj, na qartësohet se, kush zotëron me gjuhën e vet dhe e ruan atë që të mos bie në gjynahe dhe gabime, është më meritori për Kënaqësinë e Allahut, më i largëti nga Hidhërimi i Tij dhe më i ruajturi nga rrugët e shejtanit.

“Nëse të pëlqen heshtja
Atëherë, dije se edhe njerëzve të mirë para teje u pëlqeu.
E, nëse je pishman që nuk ke folur njëherë
Kujto sa shpesh je penduar nga fjalët që ke folur.
Vërtet, heshtja është shpëtim
Sa armiqësi e dëme ka mbjellë njeriu me të folur” (Vargje poetike).

Sa armiqësi i ka ndezur kjo gjuhë,…! Sa mjerime i ka lëne pas…! Sa njerëz të dashur e lidhur fort i ka ndarë…! Sa posedues të saj i ka poshtëruar…! Sa njerëzve ua ka obliguar Zjarrin dhe i ka ngarkuar me gjynahe e vepra të liga aq shumë, saqë nuk mundën t’i bartin…!

Nëse kjo gjuhë është kaq e rrezikshme, atëherë njohja e sëmundjeve dhe dëmeve të saj është skajshmërisht e domosdoshme, në mënyrë që t’i marrim shkaqet e shpëtimit dhe të largohemi praj atyre sëmundjeve e dëmeve, gjithmonë duke zbatuar fjalën e Pejgamberit (sal-lallahu alejhi ue sel-lem): “Zotëro me gjuhën tënde”, siç transmeton Tirmidhiu në hadithin e U’kbeh ibën Amir (radijallahu anhu).

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit