Pasi raportimit të shpërthimeve në Urën Kerç midis kontinentit rus dhe gadishullit ukrainas të Krimesë në Detin e Zi, Rusia tha se mbrojtja ajrore e saj rrëzoi dy raketa dje në mesditë.
“Ura e Krimesë nuk është dëmtuar”, tha në Telegram guvernatori i gadishullit i emëruar nga Moska, Sergei Aksyonov. Informacioni nuk mund të verifikoheT në mënyrë të pavarur.
Aksyonov shtoi se ishte raportuar një tjetër sulm me raketa, i cili gjithashtu ishte zmbrapsur. Edhe kjo nuk mund të verifikohet.
Trafiku rrugor mbi strukturën 19 kilometra të gjatë u pezullua përkohësisht. Fotot dhe videot e publikuara në rrjetet sociale treguan kolona tymi në urë, e cila është me rëndësi strategjike për Rusinë. Banorët raportuan edhe zhurma shpërthimesh.
Ukraina, e cila ka mbrojtur veten kundër pushtimit të plotë të Rusisë që filloi më shumë se 17 muaj më parë, ka planifikuar të çlirojë territoret e pushtuara, përfshirë Krimenë, gjatë kundërsulmit të saj.
“Gjatë natës, forcat ruse kishin zmbrapsur një sulm ukrainas me dron mbi Krime”, sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Moskës.
“Forcat ruse penguan përpjekjen e regjimit të Kievit për të kryer një sulm terrorist në Gadishullin e Krimesë duke përdorur 20 mjete ajrore pa pilot”, thuhet në një deklaratë nga ministria e mbrojtjes e Moskës.
“Sulmi terrorist i penguar nuk shkaktoi viktima apo dëme”, tha ministria, sipas një raporti nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS.
Ministria tha se 14 dronë ishin shkatërruar nga mbrojtja ajrore dhe gjashtë të tjerë ishin bllokuar. Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.