Zjarret në pyje konfirmohet se kanë shkaktuar vdekjen e 89 personave në ishullin Havai të Maui, sipas autoriteteve lokale.
Pyetjet po bëhen gjithnjë e më të forta nëse autoritetet mund të ishin përgjigjur shumë më mirë ndaj asaj që është bërë një nga fatkeqësitë më të këqija të zjarrit në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Surfisti profesionist, Kai Lenny u ankua në një video në Instagram se mungesa e miratimit të qeverisë kishte ngadalësuar dërgesat e ndihmave, megjithëse më vonë u miratua një fluturim për dërgimin e ilaçeve.
Lenny tha se ai vetë ka përdorur një ski jet për t’iu ofruar njerëzve gjërat e nevojshme përtej ujit, pasi shumë rrugë ishin të mbyllura.
Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) tha dje se dhjetëra agjenci federale ishin të angazhuara në përpjekjet për të ndihmuar viktimat e zjarrit.
“Rreth 150 punonjës të FEMA-s, përfshirë ekipet e kërkimit dhe shpëtimit, janë tashmë në Maui”, tha agjencia.
Gjithashtu pati kritika se fillimisht nuk ishin përdorur sirena paralajmëruese në Maui. Puna e shpëtimit u ndërlikua më tej nga fakti se qyteti i vogël i Lahainas në veri dhe jug mund të arrihej vetëm nëpërmjet një rruge të madhe aksesi.
Qyteti është goditur veçanërisht rëndë, ku shumë rrugë duken si një zonë lufte.
“New York Times” tha se evakuimi mund të ishte urdhëruar shumë vonë. Nga autoritetet pati raportime se zjarret ishin nën kontroll.
Shefi i Zjarrfikësve, Bradford Ventura tha në një konferencë për shtyp se zjarret ishin përhapur çuditërisht menjëherë dhe se më parë kishte qenë pothuajse e pamundur të urdhërohej evakuimi mjaft shpejt.
Guvernatori i Havait, Josh Green pranoi se furnizimet e urgjencës duhet të kishin mbërritur më shumë pasi ishte e vështirë të dërgoheshin materiale në Maui nga ishujt e tjerë.
“Green ka urdhëruar një hetim për përgjigjen nga autoritetet”, sipas transmetuesit amerikan CNN.
Ndërkohë, zjarrfikësit vijuan punën për të frenuar zjarret në rajone të ndryshme të ishullit. Sipas shifrave të përditësuara nga Qendra e Fatkeqësive në Paqësor dhe Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave të SHBA (FEMA), rreth 2 200 ndërtesa në qark janë dëmtuar ose shkatërruar nga zjarri.
Vlerësimet fillestare treguan se kostoja e rindërtimit arrin në 5.5 miliardë dollarë.
Përveç zjarreve në Mauin perëndimor, zjarret shpërthyen edhe në rajone të tjera të ishullit si dhe në ishullin fqinj të Havait në fillim të javës, duke u përhapur me shpejtësi, për shkak të erërave të forta me shpejtësi deri në 130 kilometra në orë.
Me një sipërfaqe prej rreth 1 900 kilometra katrorë, Maui është sa gjysma e madhësisë së ishullit turistik spanjoll Majorka.
Ai vizitohet nga rreth 2 milionë turistë në vit.