MPB dështon edhe me targat e automjeteve

Mos i humb

Për shkak të parregullsive që janë bërë në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) në tender, qytetarët e gjithë vendit dhe institucionet e Kosovës kanë mbetur pa targa për regjistrimin e automjeteve. E për shkak të parregullsive ka disa muaj që MPB ka lënë qytetarët pa certifikata, duke shkaktuar telashe të mëdha për gjithë ata që kanë dashur të udhëtojnë jashtë shtetit.

Tenderi, furnizim me targa për regjistrimin e automjeteve me 7 lloje të artikujve me sasi prej 17,100 copë dhe me 234,404 palë, ishte paraparë të kushtojë gati 2 milionë euro (1.685.009,28), shkruan Agjencia e Lajmeve FaktePlus.

Por, këtë tender e ka anuluar Organi Shqyrtues i Prokurimit ose siç njihet ndryshe “Gjykata e Tenderëve”, e cila ka kërkuar që lënda të kthehet në rivlerësim, duke i kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme që t’i përmbahet Ligjit të Prokurimit Publik (LPP) dhe mos të mos manipulojë me publikun dhe fajësojë OSHP-në për teket e tyre.

“Anulohet, vendimi i AK-së, njoftim për anulimin e aktivitetit të prokurimit me titull ‘furnizim me targa për regjistrimin e automjeteve’-Ritender i iniciuar nga Autoritetit Kontraktues (AK)-Ministria e Punëve të Brendshme) dhe lënda kthehet në Rivlerësim”, thuhet në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) për anulimin e tenderit.

Paneli shqyrtues i OSHP-së pas analizave të ankesave që ishin drejtuar në këtë institucion, ka verifikuar se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform nenit 59 të Ligjit të Prokurimit Publik dhe se njëkohësisht nuk është respektuar kriteri kryesor për dhënien e kontratës që ka qenë, çmimi më i ulët.

Kështu, Gjykata e Tenderëve ka obliguar MPB-në që gjatë rivlerësimit të ofertave në të ardhmen t’i përmbahet në detaje të gjitha dispozitave të ligjit dhe kërkesave të dosjes së tenderi dhe të njoftimit për kontratë.

Fakti se shumë shpesh po ndodhë që qytetarët të mbesin pa certifikata dhe targa të automjeteve, sipas OSHP-së po ndodh për teket e ministrisë gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit.

Në fund OSHP ka theksuar se Ministria për gjithë këtë po manipulon me opinionin publik, kur po hedh fajin te OSHP.

“Autoriteti Kontraktues, MPB duhet të ketë parasysh edhe interesin e qytetarëve ku shumë shpesh po ndodhë që po mbesin pa targa apo edhe pa certifikata, ku po e pësojnë qytetarët e vendit për shkak të tekeve të tyre gjatë zhvillimit të procedurave të prokurimit dhe pastaj manipulojnë opinionin publik kinse OSHP po iu anulon tenderët siç është rasti i fundit me certifikatat të gjendjes civile”, thonë nga OSHP.

Ndërkaq, me 11 prill 2019, zyrtari përgjegjës i Prokurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka pezulluar aktivitetin e prokurimit “Furnizim me targa për regjistrimin e automjeteve” Ritender.

“Pezullohet aktiviteti i Prokurimit për tenderin: Kontratë kornizë ‘Furnizim me targa për regjistrimin e automjeteve ’Ritender’”, thuhet në vendimin mbi pezullimin e aktivitetit të prokurimit.

Ndërkohë që sipas dosjes së tenderit ishin paraparë 195 mijë e 140 targa me dimension 520×110 mm për regjistrimin e automjeteve të zakonshme.

3 mijë targa duhet për regjistrimin e veturave të institucioneve shtetërore. Për komunat e Kosovës duhet 2 mijë e 340 targa.

Pa targa për regjistrimin e automjeteve kanë mbetur edhe ambasadat, për të cilat janë paraparë se nevojiten 900 targa.

Në këtë tender parashihet edhe furnizimi me 690 targa për sistemin e drejtësisë.

Targa për agjencione, duhet 2 mijë e 100. Për veturat e Emergjencës-112 nevojiten 900 targa, e 900 targa tjera duhet edhe për Policinë e Kosovës.

Pa targa kanë mbetur edhe Dogana e Kosovës, FSK, automjetet Muzeore, sportive, automjetet me afat të kufizuar, gjykatat dhe të tjera institucione.

Targat sipas dosjes së tenderit kërkohet të jenë alumin 1mm i trashë, me tolerancë +/-0.1mm. EN 1396:2007 vetitë mekanike për shtresën. Alumin EN AË 1050 H42 ose EN AW 1200 H42 të dyja anët të mbuluara me shtresë pa krom dhe njëra anë e mbrojtur me llak transparent, në pajtim me DIN 74069.

Tenderi ishte hapur me 31 dhjetor të 2018-ës.

 

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit