Ndalohen 4 punonjës të OSHEE në Lezhë dhe një pronar hoteli

Mos i humb

Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin “Task-Group”, duke ndaluar pesë persona, katër prej të cilëve punonjës të OSHEE dhe një pronar hoteli.

Specialistët e Seksionit kundër krimit ekonomiko – financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë policore dhe dyshimeve të arsyeshme, se një subjekt privat, hotel në Shëngjin, nuk faturohej për energjinë elektrike të konsumuar, ardhur kjo nga shpërdorimi i detyrës i punonjësve të kompanisë OSHEE, duke i sjellë dëm ekonomik kësaj kompanie, kanë referuar materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë në muajin gusht 2018.

Mbi bazën e këtyre materialeve, Prokuroria ka vijuar hetimet e mëtejshme, duke finalizuar operacionin “Task-Group”. Si rezultat këtij operacioni është ekzekutuar vendimi penal datë 08 Maj 2019, i Gjykatës Shkallës Parë Lezhë, e cila ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës kryer në bashkëpunim”, për shtetasit:

A. Sh., 34 vjeç, banues në Tiranë, me funksion specialist leximi pranë Drejtorisë Qendrore të OSHEE Tiranë
B. Sh., 42 vjeç, banues në Tiranë, me funksion specialist leximi pranë Drejtorisë Qendrore të OSHEE Tiranë

J. D., 27 vjeç, banues në Tiranë, me funksion specialist leximi pranë Drejtorisë Qendrore të OSHEE Tiranë
G. M., 31 vjeç, banues në Lezhë, me funksion specialist leximi pranë Njësisë Lezhë të Drejtorisë Rajonale të OSHEE Shkodër.

Gjithashtu, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve elektrike” ndaj shtetasit M. N., 64 vjeç, banues në Lezhë, pronar i një subjekti privat, Hotel në Shëngjin.

Punonjësit e kompanisë OSHEE, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë lejuar vjedhjen e energjisë elektrike nga subjekti privat hotel, në pronësi të shtetasit M. N., duke mos e faturuar për energjinë e konsumuar, rast i cili ka sjell dëm ekonomik për kompaninë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit