Ndihmat e SHBA-ve për Palestinën në nivelin më të ulët në 10 vitet e fundit

Mos i humb

Ndihmat ekonomike të SHBA-ve për qeverinë e Palestinës, në vitin e parë të presidencës së Donald Trump, kanë rënë në nivelin më të ulët në 10 vitet e fundit.

Tensionet e ngritura pas vendimit të SHBA-ve për njohjen e Kudsit si “kryeqytet të Izraelit”, u ngritën sërish pasi që presidenti amerikan Trump, në ditën e parë të vitit të ri në mesazhet e tij mori nën objektiv qeverinë e Palestinës.

Trump, pas hapave të ndërmarra në favor të Izraelit që nga marrja e detyrës së presidentit, kërcënoi qeverinë e Palestinës me ndërprerje të ndihmës ekonomike, e cila kishte marrë vendim që të mos marrë pjesë në negociatat për paqe.

Kjo deklaratë ka shkaktuar kritika se SHBA-ja po i përdor si “shantazh politik” ndihmat financiare, të cilat në krahasim me prodhimin e brendshëm bruto në vlerë prej afro 18.5 trilionë dollarësh po mbesin në nivel të vogël. Kjo deklaratë solli në rend dite edhe pyetjen se sa e ndihmon SHBA-ja qeverinë e Palestinës.

– Ndihma e dhëna për Izraelin për 2 vite janë sa 23 vite për Palestinën

Sipas të dhënave të mbledhura nga gazetari i AA-së nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-ve (USAID) SHBA-ja gjatë 23 viteve të fundit ka ofruar 8 miliardë dollarë ndihmë financiare për Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.

Ndërsa për Izraelin vetëm gjatë viteve 2016 dhe 2017 (3.1 miliardë dollarë për vitin 2016 dhe 4.9 miliardë dollarë për vitin 2017) ka ofruar gjithsej 8 miliardë dollarë ndihmë financiare. Kurse vlera e përgjithshme e ndihmave ekonomike për këtë shtet që nga viti 1949 e deri më tani ka arritur në 130 miliardë dollarë.

Përveç kësaj, ish-presidenti Barack Obama në muajin shtator të vitit 2016 nënshkroi një marrëveshje me Izraelin, e cila parashesh që SHBA-ja në periudhën 2019-2028 të ofrojë ndihmë ushtarake në vlerë prej 38 miliardë dollarësh për Izraelin.

– Ndihmat për Palestinën ishin të ulëta në periudhën e viteve 1994-2000

Ndihmat e SHBA-ve për Palestinën, të cilat janë sa një e gjashta e ndihmave të dhëna për Izraelin, me 50-60 milionë dollarë në vitet 1994-2000 ishte në nivel më të ulët në krahasim me periudhat e mëpasshme.

Pas viteve të 2000-ta ndihmat e SHBA-ve për Palestinën janë rritur dukshëm, kurse gjatë 10 viteve të fundit në periudhën 2008-2017 kishte një grifikë të valëzuar. Qeveria e Palestinës në vitin 2008 ka marrë 512 milionë dollarë ndihmë nga buxheti i nënshkruar nga George W. Bush. Kjo vlerë në vitin 2009, i cili ishte viti i parë i Barack Obama-s si president, ishte dyfishuar dhe arriti në më shumë se 1 miliard dollarë. Në vitin 2010 vlera e ndihmave ra në 687 milionë dollarë kurse gjatë viteve 2011 dhe 2012 mbeti me vetëm 461 dhe 472 milionë dollarë.

Qeveria e Washingtonit në vitin 2013 ngriti përsëri në 1 miliard dollarë ndihmat për Palestinën kurse në vitin 2014 zvogëloi ato në 497 milionë dollarë. Kjo vlerë për vitin 2015 ishte 557 milionë dollarë kurse në vitin 2016, 457 milionë dollarë.

– Ndihmat për Palestinën në vitin e parë të presidentit Trump u zvogëluan për 32 për qind

Ndihma e SHBA-ve për Palestinën në vitin e parë të mandatit të presidentit të SHBA-ve Donald Trump kanë rënë në 285 milionë dollarë. Në krahasim me vitin 2016, me këtë vlerë niveli i ndihmave për Palestinën ka shënuar rënie për 32 për qind dhe është regjistruar si niveli më i ulët i ndihmave gjatë 10 viteve të fundit.

Në këtë rezultat rol vendimtar kanë patur 221 milionë dollarë të cilët ishin lëshuar për qeverinë e Palestinës nga ish presidenti Obama më 20 janar të vitit 2017, disa orë para se të largohej nga detyra e presidentit, por ishin ngrirë nga presidenti i ardhshëm Donald Trump.

Me këtë shihet se qeveria e Trump-it në fakt filloi me reduktimin e ndihmave të drejtpërdrejta për Palestinën para kërcënimeve të fundit.

– Ndihmat për refugjatët palestinezë

Gjithashtu edhe UNRWA (Agjencia e OKB-së për Ndihmë të Refugjatëve Palestinezë), e cila ka për qëllim ofrimin e ndihmave për rreth 5 milionë refugjatë palestinezë të cilët janë detyruar të strehohen në rajone të tjera ose jetojnë në tokat palestineze nën pushtimin e Izraelit, pësoi nga kërcënimet e administratës së Trump-it.

SHBA-ja, e cila me 6 miliardë dollarë të ofruara për UNRWA-në që nga vitet e 1950-ta e deri më tani ndodhet në pozitën e donatorit më të madh të kësaj agjencie, në periudhën e Obama-s rriti donacionet pothuajse me 100 për qind.

Sipas të dhënave aktuale të UNRWA-së, SHBA-ja në vitin 2008 dhuroi 190 milionë dollarë, në vitin 2009, 268 milionë, në vitin 2010, 248 milionë, në vitin 2011, 240 milionë, në vitin 2012, 233 milionë, në vitin 2013, 294 milionë, në vitin 2014, 409 milionë, në vitin 2015, 380 milionë dhe në vitin 2016, 68 milionë dollarë për këtë agjenci.

– Trump u kërcënua nga Twitter-i

Presidenti Trump në postimet e tij në Twitter, në ditën e parë të vitit të ri, mori në objektiv Pakistanin, Iranin dhe Palestinën.

Duke pretenduar se “përkundër ndihmave milionëshe për çdo vit për Qeverinë e Palestinës nuk kanë vërejtur ndonjë vlerësim apo respekt”, Trump tha se “Ata madje nuk duan as të negociojnë për marrëveshjen e paqes të vonuar prej shumë kohësh me Izraelin”.

“Ne e lamë jashtë diskutimit pjesën e Kudsit, që është pjesa më e vështirë e negociatave. Por, përse duhet të bëjmë pagesa në shuma të mëdha në të ardhmen për palestinezët të cilët tashmë nuk duan të bisedojnë më për paqen?”, tha Trump.

Ndërkaq edhe deklaratat e përfaqësueses së përhershme të SHBA-ve në OKB, Nikki Haley se “Nuk do të japim ndihma për UNRWA-në derisa palestinezët nuk pranojnë të kthehen në tryezën e negociatave”./RTv Islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit