Ndreca: Efektet e amnistisë penale shtrihen deri në datën 31 janar 2024

Mos i humb

Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, në cilësinë e relatorit të projektligjit “Për amnistinë penale”, propozoi sot që efektet e amnistisë penale të shtrihen deri në datën 31 janar 2024.

Gjatë diskutimit të amnistisë penale në komisionin e Ligjeve, Ndreca vlerësoi se “projektligji është shumë i rëndësishëm, pasi jo vetëm lehtëson punën e organeve ligjzbatuese penale, por edhe i jep një frymëmarrje të mirë këtyre organeve dhe atyre të drejtësisë”.

Po ashtu, Ndreca vuri në dukje se në frymën e humanizimit projektligji lehtëson edhe ata individë të dënuar që janë nën hetim për vepra të lehta penale duke u mundësuar riintegrim dhe rehabilitim.

Ndërsa mbështeti shumicën dërrmuese të amendamenteve të paraqitura nga deputetët e PD-së Enkelejd Alibeaj dhe Bledjon Nallbati, Ndreca u ndal tek amendimi i parë, që ka të bëjë me afatin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, i cili duhet të jetë 31 janar 2024.

Po ashtu, Ndreca sqaroi se është rritur me 1 vit fasha përfituese, pra nga personat e dënuar me 3 vjet për meshkujt, parashikohet të shkojë në 4 vjet dhe nga të dënuarat me 4 vjet për gratë të shkojë në 5 vjet.

“Edhe për ata që deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit u ka mbetur 3 vjet dënim, afati bëhet 4 vjet për burrat dhe 5 vjet nga 4 aktualisht për gratë”, shtoi ai.

Ndreca saktësoi se te kriteret ndaluese për përfitimin e amnistisë është shtuar vepra penale “organizim, grumbullim dhe manifestim i paligjshëm i personave të armatosur”.

“Tek kriteret e përfitimit nga amnistia, shfuqizohet një pikë në kuadër të barazisë dhe bëhet zbritja e dënimit të padiferencuar edhe për subjekte të dënuar nga GJKKO, përveç të dënuarve me burgim të përjetshëm dhe të dënuar për krime kundër jetës”, shtoi ai.

“Propozoj që efekti i amnistisë do jetë deri në datës 31 janar 2024; rritet me nga një vit përfitimi nga vuajtja e dënimit për burrat dhe gratë; rritet me nga 1 vit përfitimi nga mbetja e viteve të dënimit për burrat dhe gratë; hiqen disa vepra penale nga kriteri ndalues i përfitimit të amnistisë; zgjerohet fasha e përfitimit për zbritjen e dënimit me 1 vit përfshirë subjektet që janë dënuar në mënyrë të posaçme. Tek amnistia e ndjekjes penale bëhen ndryshimet për subjekte të deklarimit të pasurisë që janë edhe ata përfitues”, shtoi ai.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit