Përmes një postimi në ‘Facebook’ Beci pohoi se punimet nisin në vjeshtë.
POSTIMI I BECIT
Kanë kaluar rreth 5 javë qëkur ju paraqita këtë video shpjeguese mbi ndërhyrjet transformuese të parashikuara përgjatë bregut të liqenit të Shkodrës. Çdo gjë duket e bukur në render, por kënaqësia më e madhe është kur nis puna konkrete. Ndaj dua të ndaj me ju lajmin e mirë se është hapur procesi i tenderimit për projektet si më poshtë:
1. Ndërhyrjet në përmirësimin e peisazhit përgjatë rrugës nga Ura e Bunës në Shirokë
2. Muzeu i liqenit dhe qendra e vizitorëve në qendër të Shirokës
3. Shtegu i biçikletave dhe pikat panoramike në malin e Taraboshit.
Kam kontribuar që në konceptimin e këtij projekti si drejtues i Fondit të Zhvillimit dhe kam privilegjin e përgjegjësinë të ndihmoj në realizimin e tyre, si deputet i Shkodrës. Ofertat nga kompanitë e interesuara hapen në datën 2 korrik dhe besoj se në vjeshtë fillojmë punimet. Projektet financohen nga Qeveria Shqiptare nëpërmjet një kredie nga BERZH-i dhe bashkëfinancim nga BE-ja dhe do të zbatohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Besoj fort se po fillojmë një seri projektesh që do ta vënë Shkodrën në zemër të turizmit shqiptar. Na shkoftë mbarë!


