Disa mijëra demonstrues u mblodhën mbrëmë në rrugët e New Yorkut në SHBA për të protestuar kundër politikave antiemigrante të presidentit të SHBA-së Donald Trump.
Marshi paqësor në qytetin më të madh amerikan u mbajt me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve.
Mijëra demonstrues u mblodhën në Bryant Park, nga ku marshuan deri tek selia e Kombeve të Bashkuara.
“Mbroni fëmijët e emigrantëve”, “Fëmijët nuk janë ilegalë”, dhe “Mbani familjet të bashkuara”, ishin disa nga pankartat që mbanin protestuesit.
Demonstruesit nga grupe të ndryshme etnike dhe fetare më së shumti kritikuan paralajmërimin për ndarjen e fëmijëve nga familjet të cilat kanë migruar ilegalisht në SHBA.
Protesta përfundoi pa incidente.
Paralelisht me këtë, Trump në Shtëpinë e Bardhë nënshkroi vendimin me të cilin përkohësisht ndalon ndarjen e fëmijëve emigrantë nga familjet e tyre dhe njëherësh ftoi Kongresin Amerikan që urgjentisht të gjejë një zgjidhje për krizën e emigrantëve.
Më herët Trump porositi se nuk do të lejojë që SHBA të shndërrohet në kamp refugjatësh, ndërsa si shembull të keq të krizës së emigrantëve përmendi Gjermaninë dhe Evropën.


