Nga Bujar M. HOXHA: Faleminderit neozelandezë, faleminderit kryeministre, faleminderit imam!

Mos i humb

Kërdia e një shpirtziu, e një qenieje të zhveshur nga njerëzorja dhe të nxitur nga instikti kafshëror, u mbylli jetën e kësaj bote dhjetëra besimtarëve muslimanë në më të zgjedhurën ditë të tyre, për t’i nisur si dëshmorë në jetën tjetër, në eternalen.

“Ata ishin më të mirët prej nesh, të marrë nga ne në më të mirën e ditëve, në më të mirin e vendeve. Dhe duke kryer veprimin më të mirë.”

Gjaku i derdhur në xhamitë e Zelandës së Re nga mizori i frymëzuar prej një retorike të përditshme po aq mizore nuk shkoi në rrjedhën e synimeve të organizatorëve të krimit. Ai gjak u kthye në bumerang për ta nga reagimi i të vënëve në shenjë, nga populli në gjirin e të cilit jetojnë, nga shtetarët e atij populli.

“Bota do të shohë përmes tyre bukurinë e Islamit dhe bukurinë e unitetit tonë.”

Qytetaria e treguar ishte përgjigjja më e mirë ndaj terroristëve, islamofobëve, racistëve, supremacistëve, ndaj të gjithë atyre që nuk e durojnë “tjetrin” musliman. Ishte shuplakë për të gjithë hipokritët, për të gjithë ata që nuk u dhimbset krijesa e tërë njerëzore, por vetëm e tyrja… Ku ishin marshimet e solidaritetit? Ku ishte fraza “Je suis…”? A nuk vlen njëlloj jeta e 50 besimtarëve muslimanë të vrarë egërsisht?

Për fat, njerëzillëkun e gjetëm shumë larg, mes neozelandezëve, që në një javë i dhanë botës mësimin që askush nuk kishte guxuar t’ia jepte.

“Faleminderit (neozelandezë). Faleminderit për lotët tuaj… Faleminderit për dashurinë dhe dhembshurinë tuaj. Faleminderit, faleminderit Zelandë e Re. Faleminderit për mësimin e dhënë botës se ç’do të thotë të duash dhe të kujdesesh.”

Kjo e ka emrin njerëzi…!

Solidaritet, bashkëndarje e dhimbjes…

Shami e vënë mbi kokë nga jomuslimanet e Zelandës së Re në respekt të bashkëqytetarëve muslimanë…

Ezan i dëgjuar në televizionin dhe radion shtetërore… Në Zelandën e Re!

Çfarë respekti për ca mijëra muslimanë mes një popullsie disamilionëshe…!

“Faleminderit të gjithë njerëzve të mrekullueshëm… Faleminderit fqinjëve që hapën dyert…”

Më të madhin falënderim e meriton shtetarja shembullore e këtij vendi për gjithçka bëri në këto ditë. Për dhimbjen që fytyra ia tregonte, për mospërmendjen e emrit të terroristit në respekt të viktimave dhe të të lënduarve të mbetur gjallë, për përgjigjjen epokale të dhënë presidentit amerikan teksa ai e pyeste se ç’ndihmë mund të jepte: “Simpati dhe dashuri për të gjitha bashkësitë muslimane!”

“Për kryeministren tonë, faleminderit. Faleminderit për udhëheqjen tuaj. Ka qenë një mësim për udhëheqësit e botës. Faleminderit për mbajtjen afër të familjeve tona… Faleminderit për qenien një me ne.”

Mirënjohje e thellë dhe për imamin për atë fjalë të shkëlqyer në të xhumanë e parë pas gjakderdhjes. Ajo fjalë po ashtu ishte një mësim. Faleminderit Gamal Fouda!

“Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.”

P.S. Titulli i shkrimit është frymëzuar nga fjala e së premtes, në një prej xhamive (Al Noor) në Zelandën e Re, e imamit të sipërpërmendur. Fjalitë në thonjëza dhe me shkrim kursiv janë marrë pikërisht nga ajo fjalë. (Mediat shqiptare, vizive dhe të shkruara, zgjodhën në përgjithësi, me fare pak përjashtime, të mos japin asgjë nga aktiviteti i së premtes në Zelandën e Re.)  /tesheshi.com/    

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit