Nga Ermir HOXHA: Kasta politike e pas ’90-ës, një brez pa Zot!

Mos i humb

Në gjykimin tonë mbi kastën politike që na ka udhëhequr në tranzicion, së cilës ia faturojmë të gjithë të zezat, kurrë nuk shkojmë te rrënjët e saj për të dalluar aty brumin etiko-moral të kësaj kaste. Kjo, sepse në debatin publik pothuajse mungon fare qasja mbi brezat. Shqipëria, zhvillimet e saj, sfidat që has, janë dhe çështje brezash. E po ashtu është çështje brezash pretendimi nëse ky vend do njeh mbrothësi apo do zvarritet në këtë lloj ekzistence të lodhshme të tipit “tërhiq e mos këput”.

Për të qenë më konkret, brezi që ka drejtuar e drejton Shqipërinë që pas ’90-ës, është lindur e rritur në ateizëm. Ata janë prurje njerëzore të viteve ’60-të, ’70-të, ’80-të, e këtu është fjala për nivelet e larta të vendimmarrjes.

Shtrati moral i tyre pothuajse është në mos bosh, i lëkundshëm. Të lindur e rritur në një kohë ideali komunist të diktuar me pahir, i ngjizur po ashtu me një ideal kombëtar sipas teorisë së nacional-komunizmit, ata u ndanë prej tij lehtshëm me ndryshimin e sistemit, ku siç ra njëri ra dhe tjetri. Dhe, të gjendur para një joshjeje materiale të papërballueshme, mu prej mungesës së çdo antikorpi moral, ky brez ka produktuar këtë gjendje ku jemi sot, me një shoqëri që më ulëritëse ka pikërisht katastrofën morale.

Ekonomia e dobët, zhvillimi i paqëndrueshëm, korrupsioni, institucionet apatike, krizat menaxheriale në shumë sektorë, handikapet e thella sociale, të gjitha kanë si koracim krizën e rëndë morale. Është një rezultante që vjen nga një arithmetikëe thjeshtë: një brez pa Zot, nuk ka mundur të ketë asnjë referencë morale, e si e tillë nuk ka mundur të pasqyrojë e ofrojë asnjë moral. Dhe kur themi moral, kemi parasysh dhe një ideal atdhetar, si forcë shtytëse për ta patur atdheun te prioritetet.

Një arsimim i mirë, të cilin të gjithë e kërkojmë si shpëtimtar të së ardhmes, nuk do mund të bëjë asgjë nëse sot nuk flitet, së paku të flitet, për breza që duhet të kenë moral para se të kenë mastera e tituj shkencorë. Në këtë vend, kush ka mundur është arsimuar dhe kjo është universale. Kush e do dijen, shkollimin, pavarësisht vështirësive, ia bën vetes të mundur të ketë dy pare mend në kokë, edhe në kuptimin skolastik. Ndërsa te morali është diçka krejt tjetër. Ai e kapërcen shkollimin, duke qenë njëherësh dhe thelbi i shëndetshëm i tij. Pa të, shkollimi mundëson një konsumerizëm individual të “suksesshëm”, por jo dhe shoqëri të suksesshme. Dhe Shqipëria mbetet ilustrimi më i dhimbshëm i kësaj kontradite: individë të aftë me produkt vetëm brenda gardhit të tyre pronësor familjar, por aspak jashtë tij, te e përgjithshmja, te komunitarja. Është koha për të diskutuar dhe mbi brezat, mbi moralin e tyre…/tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit