Nga rënia ekonomike tek borxhi publik, publikohet raporti i Bankës Botërore: Shqipëria u godit rëndë nga tërmeti, ulje të konsumit

Mos i humb

Publikohet raporti i Bankës Botërore për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku thuhet se ekonomia shqiptare ka pësuar një rënie ekonomike prej 8.4%. Në raportin në fjalë thuhet se ekonomia e Shqipërisë u godit rëndë nga tërmeti i nëntorit të 2019 e më pas nga pandemia e COVID-19.

Sipas raportit, në vitin 2020 punësimi dhe PBB-ja pritet të tkurren ndjeshëm dhe bilancet e jashtme dhe ato fiskale të përkeqësohen.

Po ashtu thuhet se borxhi publik arriti në 81.4%, ndërsa deficiti në 8.5%. Mes të tjerash raporti flet dhe për rënie të konsumit me -5.2%.

“• Autoritetet reaguan me shpejtësi nëpërmjet masave kundër krizës, p.sh., linjave të garantimit të kredisë për bizneset dhe rritjes së transfertave sociale për individët.
• Me ngadalësimin e përhapjes së pandemisë, pritet që në 2021 të ketë një rimëkëmbje graduale të ekonomisë, për shkak të rifillimit të procesit të rindërtimit nga pasojat e tërmetit dhe rimëkëmbjes së ekonomisë globale,
• Për të përshpejtuar rimëkëmbjen ekonomike duhet që politikat mbështetëse të balancojnë zbutjen e ndikimit nga pandemia dhe forcimin e qëndrueshmërisë fiskale.”, thuhet në një pjesë të raportit.

RAPORTI PËR SHQIPËRINË
Ritmi i rritjes ekonomike u ngadalësua në 2.2 përqind në 2019 si rezultat i thatësirës që çoi në ulje të prodhimit të energjisë elektrike; dhe më pas nga tërmeti shkatërrues në Nëntor. Por, ndërsa pritej të niste procesi i rindërtimit, pandemia globale COVID-19 çoi në mbylljen e sektorëve kryesorë të ekonomisë. Mbyllja e bizneseve, reduktimi i aktiviteteve dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dëmtuan sektorin e prodhimit. Sezoni turistik – i cili është një nga kontribuesit kryesor në rritjen ekonomike – ishte i zymtë. Vendimet për konsumin dhe investimet pësuan vonesa për shkak të pasigurisë lidhur me kohëzgjatjen e krizës. Gjatë tremujorit të parë (TM1) të vitit 2020, PBB-ja u kontraktua me 2.5 përqind, investimet u tkurrën me 16.7 përqind, ndërsa konsumi shënoi rritje minimale prej 1.1 përqind. Porositë për eksport filluan të bien ndërsa importet u tkurrën së bashku me kërkesën e brendshme. Deri në fund të 2020-s, PBB-ja e Shqipërisë pritet të kontraktohet me 8.4 përqind. Rënia e konsumit privat pritet të ketë kontribut negativ prej 5.2 përqind në rritjen ekonomike. Pavarësisht gjithë financimeve të qeverisë për rindërtimin pas tërmetit, investimet pritet të kontribuojnë me vetëm 0.2 pikë përqindje (pp) në rritje. Së fundmi, eksportet neto pritet të kenë kontribut negativ prej 3.4 përqind në rritjen ekonomike.

Kriza shkaktoi probleme edhe në tregun e punës në Shqipëri; shumë punëtorë kanë marrëveshje informale të cilat janë më të cënueshme nga stresi ekonomik. Për t’iu kundërpërgjigjur krizës, autoritetet shqiptare vendosën subvencionimin e pagave për bizneset më të prekura nga situata, rritën shpenzimet për përkrahje sociale, miratuan një moratorium të përkohshëm për shlyerjen e kredive si dhe ofruan garantim të kredive për të lehtësuar aksesin në kapitalin qarkullues. Megjithatë, shumë punëtorë dhe sipërmarrës informalë në vend ende po vuajnë pasojat e krizës. Punësimi pësoi rënie në të gjithë vendin, duke u ulur me 3.6 përqind në terma vjetorë në TM2. Papunësia u rrit me 0.4 pp duke arritur në 11.9 përqind, dhe shkalla e pjesëmarrjes në forcën e punës pësoi rënie.

Inflacioni ka qenë nën kufirin e synuar, duke shënuar një vlerë mesatare prej 1.8 përqind në gjysmën (Gj1) e parë të vitit 2020, vetëm 0.3 pp më i lartë krahasuar me gjashtëmujorin e parë të 2019.
Kontribuesi më i madh në inflacion kanë qenë çmimet e ushqimeve – 85 përqind në TM1 dhe 90 përqind në TM2. Normat e inflacionit arritën kulmin në 2.1 përqind në Mars dhe Maj si rezultat i ndërprerjeve në zinxhirin e furnizimit dhe presioneve të ulëta inflacioniste nga importet gjatë mbylljes së ekonomisë. Megjithëse inflacioni pësoi rënie në nënkategorinë e karburanteve, kjo nuk ndikoi në çmimet e mallrave të tjera dhe shërbimeve. Megjithatë, me heqjen e disa masave kufizuese në fund të Majit, efektet negative nisën të zbuten. Inflacioni pritet të reflektojë rënien e kërkesës së brendshme dhe do të vazhdojë të jetë më i ulët se kufiri i synuar edhe gjatë pjesës tjetër të vitit 2020.

Politika monetare ka qenë akomoduese, e shoqëruar me ulje të normës bazë të interesit dhe injektime të likuiditetit në sistemin bankar. Në përgjigje të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19, banka qendrore uli sërish normën bazë të interesit, me 50 pikë bazë, duke arritur një minimum historik prej 0.5 përqind. Ajo hoqi gjithashtu tavanin për huatë afatshkurtra nga banka qendrore me qëllim mbështetjen e amortizatorëve të likuiditetit në sistemin bankar. Gjithashtu u prezantuan instrumente makroprudenciale, të tilla si zvogëlimi i kërkesës së kapitalit për letrat me vlerë të qeverisë në valutë të huaj, me qëllimin për të shfrytëzuar nivelin e bollshëm të likuiditetit në valutë të huaj në tregun e brendshëm dhe për të kompensuar efektet e paqëndrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare. Megjithë ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun e këmbimit valutor gjatë vitit, kursi i këmbimit mbetet ende fleksibël duke mbrojtur në këtë mënyrë ekonominë shqiptare nga goditjet e jashtme. Deri në TM2, monedha vendase ishte mbiçmuar me 1.4 përqind ndaj euros për shkak të rënies së aktivitetit me partnerët tregtarë. Sektori bankar, i cili është i mirëkapitalizuar dhe likuid, ka ndihmuar në amortizimin e efekteve të krizës. Kredia për sektorin privat u rrit mesatarisht me 6.8 përqind në terma vjetore gjatë TM2.

Deficiti i llogarisë korrente (CAD) pritet të rritet në rreth 11.9 përqind të PBB-së për vitin 2020. Pakësimi i fluksit të turistëve, ulja e porosive të përpunimit të tekstileve si dhe ulja e çmimeve të naftës pritet të çojnë në rënie të eksporteve me 37 përqind.

Pozita fiskale e Shqipërisë për vitin 2020 pritet të përkeqësohet me rritjen e parashikuar të deficitit në 8.5 përqind të PBB-së. Rënia e aktivitetit ekonomik pritet të ulë raportin e të ardhurave tatimore ndaj PBB-së nga 25.7 përqind e PBB-së në 2019 në 24.1 përqind. Të dy këta faktorë së bashku, të ardhurat e ulëta dhe deficiti i lartë fiskal, pritet ta rrisin borxhin publik të Shqipërisë në 81.4 përqind të PBB-së.

Perspektiva Ekonomike dhe Rreziqet
Duke supozuar se pandemia do të vihet nën kontroll deri në fund të vitit, PBB-ja në vitin 2021 parashikohet të rikthehet në rritje me 5 përqind, për shkak të rimëkëmbjes së eksporteve, konsumit dhe investimeve. Gjithashtu, vijimi i procesit të rindërtimit të strukturave të dëmtuara nga tërmeti pritet t’i japë hov rritjes ekonomike, siç ka ndodhur në situata të ngjashme në ekonomitë e tjera në zhvillim. Pas kësaj periudhe, rritja do të varet gjithnjë e më shumë nga konsumi privat, mbështetur nga rindërtimi pas tërmetit. Investimet private dhe ato publike do të kontribuojnë gjithashtu pozitivisht në rritjen ekonomike për sa kohë që qeveria do të vijojë reformat për përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimet në infrastrukturë. Sektori i shërbimeve, kryesisht ato që lidhen me turizmin, dhe sektori i ndërtimit pritet të jenë kontribuesit kryesorë sektorialë në rritjen ekonomike.
Deficiti i llogarisë korrente pritet të ulet në 10.1 përqind të PBB-së në 2021 dhe më tej të ngushtohet gradualisht në 8 përqind, në linjë me trendin e periudhës së para krizës, si rezultat i përmirësimeve të parashikuara në bilancin tregtar. Në periudhë afatmesme, eksportet e shërbimeve, veçanërisht turizmi dhe operacionet e proceseve të biznesit të cilat po zgjerohen me shpejtësi, do të çojnë në ngushtim të deficitit tregtar. Në vitin 2021 importet pritet të rriten me 12.8 përqind si pasojë e përshpejtimit të investimeve në infrastrukturë. Gjatë periudhës së parashikimit, flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte, kryesisht në sektorin e turizmit, energjisë dhe industrisë përpunuese, parashikohen të financojnë pjesën më të madhe të deficitit të llogarisë korrente.

Me rigjallërimin e aktivitetit ekonomik, të ardhurat parashikohet të arrijnë në 27.6 përqind të PBB-së deri në vitin 2022, kohë në të cilën parashikohet një rënie e vogël e borxhit publik të Shqipërisë. Autoritetet duhet të vijojnë të zbatojnë rregullin fiskal mbi dinamikën e borxhit, i cili përcakton se raporti i stoku i borxhit publik dhe të garantuar ndaj PBB-së nuk duhet të rritet nga viti, dhe ky rregull kërkon që duke filluar nga viti 2023 të ruhet një bilanc primar pozitiv. Perspektiva e punësimit varet kryesisht nga rimëkëmbja e sektorëve të shërbimeve dhe vlerës së investimeve në rindërtimin e vendit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit