NGJARJA/ Tej lotëve: ç’mund të ketë pas dramës së “Petro Ninit”?

Mos i humb

Një ditë më parë, të hënën, opinion shqiptar u fokusua te një zhvillim i pazakontë por jo i panjohur. Banorët e disa familjeve të një godinE në afërsi të gjimnazit “Petro Nini”, reaguan në atë mënyrë duke provokuar skena që ngjallën lot, mëshirë e irritim qytetar.

Duke e shfaqur me sjelljen gati çmendurake rezistencën për të mos iu bindur një vendimi gjykate, përcjellë nga veprimi në terren i përmbaruesve, ata rreshtuan kah vetja një opinion të tërë, aty në realitet apo në rrjete sociale.

Zhgryerje në asfalt, përbetime për vetëflijime, tentativë për luftë me leva në dorë, britma e ulërima të përzishme, lutje e qarje fëmijësh, në një sfond me policë të vënë në siklet për zbatimin e ligjit, ku disa dorëzoheshin emocionalisht e disa jo, shteti morri një tjetër goditje në imazh, pasi iu faturua pikërisht atij, pse jo dhe politikës, ajo plojë njerëzore që u konsmua faqe gjithë opinionit.

Por tej spektaklit të trishtë, ajo që ndodhi është refleks i një drame sociale që vijon të luhet ç’prej më shumë se 25 vitesh; ku pra aktorë janë ata të cilët  janë gjendur të ngatërruar në çështje pronash, me skenar e regjisurë një shtet që ku nga paaftësia e ku nga korruptimi, e ka kompromentuar rëndë të drejtën e pronës, duke i futur më pas në përplasje vetë njerëzit me njëri-tjetrin, deri dhe me viktima. E gjithashtu, me padrejtësinë ne trajtimin e pronës – ku Ligji 7051 është më ulëritësi, duke qenë dhe ende në veprim – kanë mbjellë ndjenjën e padrejtësisë te vet njerëzit, gjë që më pas ka çuar në pandjeshmërinë e frikshme për ta zënë a vjedhur pronën e tjetrit pa asnjë problem.

Vëreni legalizimet. Çfarë janë ato në thelb? Ashtu siç po ndodhin, duke lumturuar jo pak njerëz – e që për hir të së vërtetës duhet thënë se është ndër punët më të mira të qeverisë Rama, falë dhe të të qënurit të një shtetari si Artan Lame në krye të procesit – në thelb ato janë vjedhje. Sepse, shumëkujt i jepet e drejta ligjërisht mbi një pronë që s’është e tija. Legalizimet duhej të ishin një proces që duhej filluar e zbatuar vetëm pasi prona të shkonte te i zoti, apo kur ky i fundit të mbyllte tërësisht llogarinë me të edhe në aspekt të kompensimit.

Ndaj, ato pamje idilike kur tjetri merr në dorë dokumentin e legalizimit, fshehin në thelb një padrejtësi shoqërore.

E kundërta mund të jetë dhe me ata banorët fatkeqë në dukje te “Petro Nini”.

Tej lotëve e britmave, ndoshta e drejta nuk është në anën e tyre. Ata mund të kenë arsye të aspektit social për të shkulur flokët nga marrazi e vënë kujën – nuk është e lehtë të lësh një shtëpi ku jeton prej vitesh e ke ndërtuar familje në të – por që kjo nuk e legjitimon faktin se aty ku jetonin ishte një pronë që me ligje, apo dhe me të drejtën njerëzore të pronës, t’i përkiste tjetrit. Siç dhe rezultoi me vonë, trashëguesi i pronës doli në media dhe ofroi versionin e tij, jo pak bindës që ishte ai në kahjen e së drejtës, ndonëse pa klithma e lot.

E njëjta dramë vijon të luhet te “Astiri”. Janë me dhjetra familje që vijojnë rezistencën, por sa prej tyre mund të jenë në të drejtën e kulluar?

Pra, pas atyre skenave që na ofrohen, mbi të cilat ndërtojmë fët e fët gjykime nën diktatin e dobësive emicionale, ajo, e vërteta apo e drejta e ftohtë e çështjes mund të jetë në kahjen e kundërt të lotëve dhe përvuajtjeve. Së paku kjo duhet mbajtur parasysh në momentin e ballafaqimit me skena të tilla. Sepse drama më e madhe në këto raste është ajo që e drejta mund të mos jetë te ata që e ofrojnë atë me skena skizofrenike.

Për epilog: a dini se në Shqipëri ka jo pak raste kur individë kanë refuzuar të marrin pronë me 7051-in, duke arsyetuar se ajo, edhe pse u jep shteti me ligj, nuk u përket atyre. Pra, një moral tronditës që ne si shoqëri ende nuk e njohim. Ndaj dhe përjetojmë skena të përzishme si ato te “Petro Nini”. /tesheshi.com/   

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit