Ngjarjet kriminale, debate tek “Ligjet”/ Lamallari: Kemi përgjysmim të shifrave

Mos i humb

Ngjarjet e fundit kriminale në vend, kanë nxitur debate në Komisionin për Çështjet Ligjore, ku i pranishëm ishte zv Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe drejtues të Policisë së Shtetit.

Teksa në rend të ditës ishin miratimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara nga Shqipëria në fushën e sigurisë, Deputetët e opozitës ngritën shqetësime mbi situatën e rendit dhe sigurisë.

Në fshatin Larushë është qëlluar dhe është vrarë një person dhe është plagosur djali tij. Në Shkodër, po ashtu kemi vrasje babë e bir. Çdo ditë ka vrasje, rrëmbime, zhdukje personash. Ajo që më shqetëson ëshe se Policia del e thotë që ai që u vra ishte me perecedent penal…etj. Po pse nuk i ka mbajtur nën kontroll policia këto persona me precedent penal, jemi dhe në sezon turistik?”,- tha Asllan Dogjani, Deputet i Partisë Demokratike.

Neritan Nallbati, Drejtues i Policisë Kriminale, u shpreh se çdo rast po hetohet, ndërsa shtoi se statistikat flasin pozitivisht për punën e Policisë  së Shtetit.

“Ngjarje ka patur në të gjitha kohërat. Edhe kur kolegu ishte pjesë e jona. Ne jemi duke  hetuar ngjarjet të cilat u cituan. Po ti referohemi statistikave të ngjarjeve kriminale, mund të them se veprat penale kundër jetës kanë një ndryshim drastik nga viti në vit. Mos harrojmë që shifrat janë kokë fortë, ngjarjet nuk fshihen, por po punohet për zbardhjen e tyre. Në një moment që kemi prova për zbardhjen e ngjarjeve, do ti bëjmë publike. Në Policinë e Shtetit punohet me përkushtim për të gjitha ngjarjet kriminale, që kanë të bëjnë me rendin dhe sigurinë në vend”,- tha Nallbati.

Petro Koçi, Deputet i Partisë Socialiste tha se shifrat dëshmojnë se puna e Policisë njohur ngritje.

“Çdo shqetësim për ngjarje të rënda është legjitim. Edhe sikur një vrasje të ndodhi në vit, të gjithëve na dhemb. Por duhet ama, ne  të pranojmë se statistikat dëshmojnë  se puna e Policisë ka njohur një ngritje të jashtëzakonshme. Rendi, siguria, bashkëpunimi me institucionet e tjera siç është prokuroria e ka rritur nivelin. Reforma në drejtësi, institucionet e reja të drejtësisë kanë ndikuar dhe psikologjikisht në shoqëri, por edhe ndaj elementëve kriminal për tu vetëpërmbajtur, edhe për të ulur nivelin e guximit për të kryer vepra penale. Kur ndodhin ngjarje të tilla, them se të gjithë jemi të shqetësuar dhe duam që autorët të vihen përpara drejtësisë”,- tha Koçi.

Pjesë e diskutimeve u bë dhe Dhurata Çupi, Deputete e Partisë Demokratike, e cila shtoi se statistikat saj nuk janë në favor të Policisë së Shtetit.

“Kolegu i policisë tha se krimi ka ekzistuar gjithnjë, sa është niveli i krimit ndër vite”. Në vitin 2011 pretendohet që ishte niveli më ulët i krimit në 146 vrasje për 100 000 banorë, dhe niveli më i lartë është në vitin 2021 me 178 vrasje për 100 000 banorë”,- tha Çupi.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Besfort Lamallari, Zv/Ministër i Brendshëm. Ai tha se shifrat e krimit janë përgjysmuar.

“Faktet janë fakte, ne duhet ti pranojmë faktet. Në fakt, sipas raporteve ndërkombëtare, kemi përgjysmim të asaj që ishte situata e ngjarjeve kriminale në vitet 2010-2011. Jam i keqardhur për çdo vrasje, krim që ndodh, por gjithashtu unë jam krenar për punën e bërë nga ministria e brendshme dhe i dal për zot”,- tha Lamallari.

Në fund Klotilda Bushka, Deputete e Partisë Socialiste, tha se nuk ka shoqëri imune ndaj krimit, por shtoi se institucionet ndëkombëtare përmes raporteve të tyre kanë vlerësuar punën e bërë nga Policia e Shtetit.

“Ne smund të pretnedojmë krimin në nivelin zero, pra një  shoqëri imune ndaj krimit. Patjetër që do i diskutojmë këto shqetësime. Por duhet të jemi koshient. S’mund të flasim në ajër, me përceptime. Të gjithë duam që mos të ketë elementë kriminal në vendin tonë. Nxisim policinë të rrisi kapacitet, të kërkojë ndihmë nga Kuvendi për sfidat. Vlerësimin e punës e bëjnë e kanë bërë në raportet e tyre institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë. Është një luftë mes të mirës dhe së keqes në çdo vend të botës”,- tha Bushka.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit