Ngjarjet më të rëndësishme të vitit 2018 në Kosovë, Maqedoni, dhe Shqipëri (1. Kosovë)!

Mos i humb

Çështjet politike, përpjekjet për proceset integruese në organizatat evropiane, vizitat e shpeshta të ndërkombëtarëve dhe protestat ishin vetëm disa nga çështjet kryesore të një viti më parë dhe që vazhduan të jenë aktuale edhe gjatë vitit 2018, shkruan Kosova Post

/PRISHTINË/SHKUP/TIRANË/ –KOSOVA POST

Çështjet politike, përpjekjet për proceset integruese në organizatat evropiane, vizitat e shpeshta të ndërkombëtarëve dhe protestat ishin disa nga çështjet kryesore të një viti më parë dhe që vazhduan të jenë aktuale edhe gjatë vitit 2018 në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Ato janë disa nga zhvillimet më të rëndësishme në tre vendet e rajonit të cilat shënuan vitin 2018. Këtu po i sjellim në mënyrë kronologjike, ku fillimisht do ti rradhisim të Shqipërisë, në artikullin e dytë ato të Maqedonisë dhe në vazhdimin e tretë, të Kosovës.

– KOSOVË

16 janar – Lideri i nismës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç, ndërroi jetë pasi u qëllua me armë zjarri para zyrës së tij, incident pas të cilit më 20 janar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, realizoi vizitë një-ditore në Kosovë për bisedime me serbët e Kosovës në veri.

15 shkurt – Barbadosi, i cili ndodhet në rajonin e Karaibeve, njohu pavarësinë e Kosovës, duke u bërë shteti i 116-të që ka njohur pavarësinë e Kosovës.

17 shkurt – Me aktivitete të ndryshme, mes të cilave perfomanca e këngëtares botërore me origjinë nga Kosova, Rita Ora, Kosova shënoi 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

21 mars – Pas disa shtyrjesh, u mbajt seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, në të cilën u votua për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Deputetët e Kuvendit të Kosovës pas katër tentimeve të pasuksesshme nga gazi lotsjellës, që u hodh nga deputetët e partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, me 80 vota pro e miratuan projekt-ligjin për demarkacionin me Malin e Zi.

26 mars – Policia e Kosovës angazhoi njësi relevante policore për ndalimin e vizitës së zyrtarëve serbë në Kosovë, Aleksandar Vulin dhe Marko Gjuriç, pasi që Ministria e Jashtme e Kosovës nuk kishte dhënë leje për vizitat e tyre. Më vonë, polica kosovare në Mitrovicën e Veriut arrestoi shefin e të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriç, të cilin pasi e dërguan në stacionin e policisë në Prishtinë, e larguan nga territori i vendit.

29 mars – Në bashkëpunim me inteligjencën e Kosovës, Agjencia Turke e Inteligjencës (MIT) realizoi një goditje të rëndë ndaj strukturës së Organizatës Terroriste FETO/Strukturës së Shtetit Paralel (FETO/PDY) në Kosovë, duke sjellë në Turqi gjashtë punonjës të nivelit të lartë të organizatës.

30 mars – Drejtori i inteligjencës së Kosovës, Driton Gashi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, dhanë dorëheqjen e tyre pasi ua kërkoi kryeministri Ramush Haradinaj, pas operacionit të Agjencisë Turke të Inteligjencës (MIT) i cili sipas kryeministrit ka ndodhur pa lejen dhe informimin e tij.

9 qershor – Ndërroi jetë legjendari i futbollit kosovar, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili një ditë më pas u varros me nderime të larta shtetërore.

24 qershor – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç, zhvilluan takimin e parë të fazës përfundimtare të procesit të dialogut në Bruksel me ndërmjetësimin dhe udhëheqjen e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

18 korrik – Komisioneri Evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, rekomandimin për të cilën e mori më 30 gusht nga Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), që funksionon në kuadër të Parlamentit Evropian, i cili më 13 shtator votoi pro liberalizimit të vizave për vendin.

26 korrik – Ndërroi jetë Adem Demaçi, luftëtari për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës, i cili u varros me nderime të larta shtetërore.

2 gusht – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, paralajmëroi për mundësinë e korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, ku përmendi edhe mundësinë që Lugina e Preshëvës t’i bashkohet Kosovës.

8 shtator – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, realizoi një vizitë dyditore në Kosovë, me ç’rast vizitoi Liqenin e Ujmanit dhe katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

9 shtator – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tërhoqi lejen e lëshuar me të cilën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të vizitonte fshatin Banjë në komunën e Skenderajt, pasi veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe qytetarët e Skenderajt bllokuan rrugën Mitrovicë-Skenderaj.

18 tetor – Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim tre ligje për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri.

19 tetor – Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë, ku zhvilloi takime të ndara me krerët shtetëror, si dhe vizitoi komunën e Prizrenit dhe atë të Mamushës.

20 nëntor – Në votimin e Asamblesë së 87-të të Përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) mbi anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, nuk u arrit numri i duhur i votave për t’u anëtarësuar, respektivisht dy e tretave e votave të vendeve anëtare në INTERPOL.

21 nëntor – Qeveria e Kosovës mori vendimin për të ri-imponuar taksa prej 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, duke përjashtuar brendet ndërkombëtare, pas lëvizjes së mëparshme të 7 nëntorit kur vendosi imponimin e taksave prej 10 për qind ndaj produkteve nga këto dy vende.

22 nëntor – Kombëtarja e Kosovës në futboll shënoi një sukses të madh në raundin e parë të Ligës së Kombeve, duke përfunduar si lidere në grupin 3 të Ligës D, ku janë pjesë edhe Azerbajxhani, Ishujt Faroe dhe Malta. Më këtë Kosova kaloi në Ligën C dhe do të luajë në “Play off” në gjysmëfinale. Pas këtij suksesi, Qeveria e Kosovës ndau 500 mijë euro për përfaqësuesen kosovare.

23 nëntor – Njësia policore e Kosovës zhvilloi një aksion në veri të Mitrovicës në lidhje me vrasjen e liderit serb nga Kosova të nismës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviç, ku arrestoi katër persona të komunitetit serb, dy prej të cilëve zyrtarë policorë në veri të Mitrovicës.

27 nëntor – Kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, dhanë dorëheqjen nga posti i tyre, për shkak të vendosjes së taksave prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë.

3 dhjetor – Komisioneri Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, realizoi një vizitë në Kosovë, ku takoi krerët shtetëror, pas të cilës deklaroi se “taksa që Kosova ka imponuar ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nuk duhet të mbetet në fuqi”.

14 dhjetor – Kuvendi i Kosovës me një shumicë absolute miratoi tre projektligjet për transformimin e FSK-së në ushtri, respektivisht projektligjin për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, projektligjin për transformimin e FSK-së në ushtri, si dhe projektligjin për shërbim në FSK. (AA)

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit