Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë reagon ndaj dekorimit të komandant Remit

Mos i humb

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR Kosovë) dënon vendimin e presidentit për dekorim me Medalje Presidenciale Jubilare komandantin e Zonës Operative të Llapit dhe anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm Rrustem Mustafa, me rastin e dhjetë vjetorit të pavarësisë, duke e nderuar për kontributin e dhënë për liri dhe pavarësi.

“Në vitin 2015, Rrustem Mustafa, i njohur si “Remi”, u dënua me katër vjet burg për krime lufte nga Gjykata e Apelit, ku bashkë me të ishin dënuar edhe dy bashkëluftëtarët e tij, Nazif Mehmeti dhe Latif Gashi. Në bazë të aktvendimit, Rrustem Mustafa u shpall fajtor për krime të luftës për shkak të trajtimit çnjerëzor të civilëve të paraburgosur dhe krime të luftës për shkak të rrahjes dhe torturimit të civilëve të paraburgosur. Për më shumë, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka lëshuar aktgjykim të formës së prerë për të akuzuarit”, thuhet  në reagimin  e YIHR për Kosovë.

Sipas kësaj organizate jo qeveritare përderisa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nderon kriminelë të luftës, familjarët e më se 1600 personave të pagjetur ende nuk dinë asgjë për fatin e më të dashurve të tyre.

“Në njërën anë, z. Thaçi ka iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, ndërsa në anën tjetër vazhdon të promovojë dhe legjitimojë dhunën dhe krimet e kryera përgjatë luftës së fundit”, thuhet në njoftim.

Me anë të këtij reagimi YIHR i ka bërë thirrje të gjitha institucioneve publike në Kosovë që të ndalojnë nderimet e “ kriminelëve të luftës dhe të përqendrohen në njohjen dhe arritjen e drejtësisë për viktimat, të mbijetuarit/at dhe personat e pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë”

“Drejtësia dhe liria për të gjithë qytetarët e Kosovës nuk do të jetë e mundur përderisa kriminelë të luftës dekorohen dhe thirren në parime të lirisë dhe pavarësisë”, thuhet në reagim. /Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit