Niveli i ngrohjes në botë është i pashembullt në mijëra, nëse jo qindra mijëra vjet, thuhet në një raport të ri klimatik të OKB-së, raporton Anadolu Agency (AA).
Raporti i grupit punues të Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC), i titulluar “Ndryshimi i Klimës 2021: Baza e Shkencave Fizike”, tha se ofron vlerësimin më të qartë dhe më gjithëpërfshirës deri më sot të ngrohjes së atmosferës, oqeaneve dhe tokës.
“Shkalla e ndryshimeve të fundit është e pashembullt në mijëra, nëse jo qindra mijëra vjet”, tha Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), duke publikuar raportin.
“Shumë ndryshime për shkak të emetimeve të gazrave serë në të kaluarën dhe të ardhmen janë të pakthyeshme për shekuj në mijëvjeçarë, veçanërisht ndryshimet në oqean, shtresat e akullit dhe nivelin global të detit,” thonë nga WMO, duke cituar raportin.
Raporti vuri në dukje se ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njerëzit tashmë po prek shumë ekstreme klimatike dhe të motit në çdo rajon në të gjithë globin.
Evidenca e ndryshimeve të vëzhguara në ekstreme si valët e nxehtësisë, reshjet e mëdha, thatësira dhe proporcioni i cikloneve tropikale intensive, e në veçanti atribuimi i tyre ndaj ndikimit njerëzor është forcuar që nga raporti i fundit i IPCC në vitin 2014.
“Realiteti i ashpër i ndryshimit të klimës po shfaqet në kohë reale para syve tanë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i WMO-së, Petteri Taalas, duke shtuar: “është një shije paraprake e asaj me të cilën do të përballen brezat e ardhshëm”.


