Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka qenë sot në Shkodër nga ku bëri një deklaratë të fortë në lidhje me një ambasadore që ndodhet në vendin tone. Basha tha se kreu i PSD-së Tom Doshi ka detyruar ambasadoren e një vendi perëndimor që të largohej nga një takim që ka qenë duke zhvilluar në Shkodër. Më tej Basha tha se kjo ndodhi për shkak të grabitjes së një të riu që kishte marrë guximin të denonconte vjedhjen e votave.
“Për herë të parë në 30 vite, Tom Doshi dhe banditët e tij detyruan të largohet dhe të mbyllë mbledhjen një ambasadore perëndimore, pasi grabitën në sy të saj një të ri shkodran i cili pati guximin të ngrihej në këmbë dhe të shprehej: këtu po blen vota Tom Doshi”– tha Basha.
Por për cilën ambasadore e ka pasur fjalën kryedemokrati Basha?
Nëse i futemi kërkimeve dhe takimeve që ambasadorët e vendeve të huaja kanë zhvilluar në Shkodër, vihet re se ka qënë ambasadorja suedeze në Shqipëri Elsa Hastad që ka qënë në qytetin verior më 9 prill 2021.
Ndërsa, ambasadorja Yuri Kim ka qënë në Shkodër më 23 mars dhe me 25 prill.


