Federata e Opozitës ka zhvilluar takim me aleatët në selinë e PD. Në nisje të këtij takimi, fjalën e ka mbajtur Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, i cili ka akuzuar drejtësinë e re pasi sipas tij, po përdoret për të eliminuar opozitën.
“Ka dy rezoluta që dënojnë burgosjen e lidershipit të PD-së dhe opozitës në përgjithësi, duke vënë theksin tek keqpërdorimi i drejtësisë së re politike si një drejtësi që po përdoret për të eliminuar opozitën e këtij vendi”- u shpreh Noka.
Noka u ndal edhe tek takimi i kryeministrit Edi Rama me emigrantët në Londër.
“Mosbindja civile është rruga e vetme për t’i dhënë Shqipërisë paqe politike dhe sociale dhe një zgjidhje politike që do garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”- tha Noka.
Noka tha se gjatë këtij takimi do të diskutohet për protestën e nesërme dhe një strategji se si do të ecë opozita për t’i dhënë zgjidhje Shqipërisë.
“Jemi 24 orë nga akti tjetër i mosbindjes civile që e kemi deklaruar që do jetë nesër në ora 17:00 në Tiranë. Ne do diskutojmë edhe hapin e nesërm, por do diskutojmë edhe një strategji se si do ecë kjo opozitë për të detyruar këtë regjim për t’i dhënë zgjidhje Shqipërisë. Ndërkombëtarët me dy rezoluta folën qartësisht. Tashmë është radha jonë, është radha e opozitës, është radha e shqiptarëve që të flasin.
Nesër në ora 17:00 është radha e qytetarëve që Tirana të jetë nën pushtetin e tyre. Ne do të bisedojmë hapat e mëtejshëm të kësaj strategjie. Së bashku do u bëjmë thirrje në emër të opozitës të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe të Shqipërisë nesër të vërshojnë në ora 17:00 drejt Tiranës. Pushteti duhet të jetë i qytetarëve, jo i kusarëve. Është koha që kusarëve t’u japim leksionin e duhur. Është koha që shqiptarët të ngrihen. Tashmë është koha jonë!”- u shpreh Noka.


