Nuk lejojnë asfaltimin e rrugës/ Banorët e një lagjeje në Durrës: Punojnë keq dhe përmbytemi

Mos i humb

Ndërhyrjet për përmirësimin e asfaltit, pas shirave të parë të nëntorit, kanë sjellë dhe reagimin e qytetarëve që përballen me përmbytjet.

Të martën, banorë të një rruge në plazhin e Durrësit nuk lejuan firmën fituese të tenderit që të nisë punimet për asfaltimin e rrugës.

“S’jemi kundër rrugës, po duhet plan rregullues. Këta vijnë me e shtru dhe asfaltua pa hapur kanalizime dhe ne mbytemi në ujë. Ndaj protestojmë. Rruga mban ujë dhe në behar, jo në dimër.”

“Ka 20 vjet që kemi shumë problem. S’dal dot nga shtëpia se bëhet liqen. Sot kanë ardhur këta me hedh një asfalt dhe me ik. Pa kolektor kjo rruga nuk bëhet. Këtu ka një pusetë që mban gjithë rrugën e për të kujdesem vetë. Vejmë thasë rëre. Njoftova policinë që të na ndihmojë.”

Edhe me mbërritjen e forcave të policisë bashkiake dhe atyre të rendit, banorët nuk kanë lejuar firmën që të ndërhyjë, ndaj mjetet dhe punëtorët janë detyruar të largohen drejt një rruge tjetër.

“Vuajmë ne, jo këta. Të ikë uji dhe të mos ngelë ujë, sepse i paguajmë të gjitha taksat.”

“S’po reagojmë që të zihemi me policët, po themi të drejtën. Nëse e bën ky shtet ta bëjë, ndryshe të iki se na kanë qelbur tërë jetën.”

Me një fond prej 80,5 milion lekësh nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit po bëhet përmirësimi i shtresave asfaltike në 10 rrugë të qytetit të Durrësit, mes të cilave dhe kjo rrugë e plazhit e cila ka një trafik të rënduar jo vetëm gjatë sezonit turistik.

Në bashkinë e Durrësit sqarojnë se ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve është në fazën e hartimit të një projekti për rrjetin e kanalizimeve përgjatë unazës së Shkozetit e që do të lidhet dhe me rrugën e Plazhit, ndaj investimi i kërkuar nga banorët do të bëhet pas studimit dhe përcaktimit të llojit të ndërhyrjes së këtë zonë që është nën nivel dhe pa pjerrësi dhe shpesh shkakton përmbytje.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit