Numri i studentëve të huaj në Turqi rritet pesëfish

Mos i humb

Rreth 125 mijë studentë ndërkombëtarë aktualisht ndjekin studimet në universitetet e Turqisë, shifër kjo e cila shtatë vite më parë ka qenë afro 25 mijë, tha drejtori i Panaireve Ndërkombëtare Arsimore të Turqisë – IEFT, Deniz Akar.

Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Akar tha se 100 mijë studentë turq vijojnë studimet në vende të huaja dhe se viteve të fundit arsimimi ndërkombëtar ka treguar rritje të konsiderueshme në gjithë botën.

Akar tha se studentët turq që dalin për të studiuar jashtë vendit ndahen në tri kategori.

“Në të parën janë shtetet si SHBA, Britania dhe Kanadaja. Këto gjithnjë janë shtete që kanë tërhequr më së shumti studentë në botë. Interesimi i studentëve dhe familjeve nga Turqia është ndaj këtyre shteteve. Në grupin e dytë janë shtetet e Evropës dhe Evropës Lindore. Ndërkaq, në grupin e tretë bëjnë pjesë shtetet si Rusia, Kina dhe Malejzia, të cilat në dhjetë vitet e fundit kanë treguar një avancim. Së fundmi, edhe studentët turq kanë filluar të interesohen për këto vende”, tha Akar.

Për sa i përket kostos së studimeve, Akar theksoi se SHBA, Britania dhe Kanadaja janë shtetet më të shtrenjta për studime.

– “Faktori Trump ka reduktuar numrin e studentëve që shkojnë në SHBA”

Në lidhje me pohimet se numri i studentëve që shkojnë në SHBA nga vende të ndryshme është reduktuar gjatë periudhës së presidentit Donald Trump, Akar u shpreh: “Po, pas zgjedhjes së Trumpit për president ndodhi një rënie me kufizimin e vizave që përfshinte disa shtete muslimane. Kjo nuk reflektoi në Turqi, por te studentët turq kemi parë mungesë vullneti kundrejt SHBA-ve”.

Ai tha se numri i studentëve turq në SHBA sillet midis 10-11 mijë, por se flitet që një ose dy vitet e fundit kjo shifër sillet në rreth 8-9 mijë.

Po ashtu, Akar tha se SHBA është vendi i parë në botë për sa i përket tërheqjes së studentëve ndërkombëtar, duke shtuar se numri i studentëve të huaj në këtë vend arrin në rreth 900 mijë.

“Në dy vitet e fundit, kjo ka stagnuar, edhe pse duhej të rritej. Me gjasë të madhe, faktori Trump ka pasur ndikim. Është reduktuar interesimi jo vetëm nga Turqia, por nga e gjithë bota”, vlerësoi Akar.

– 125 mijë studentë të huaj në Turqi

Deniz Akar tha se Turqia është një nga shtetet që ka kapur balancën për sa i përket numrit të studentëve turq që shkojnë jashtë vendit dhe atyre të huaj që vijnë në Turqi.

“Gjersa 100 mijë studentë nga Turqia brenda vitit shkojnë për të ndjekur arsimin jashtë vendit, aktualisht 125 mijë studentë të huaj ndjekin studimet në univeristetet e Turqisë. Ky është një zhvillim i mirë”, tha Akar.

“Kjo shifër ishte rreth 25 mijë para shtatë viteve. Shumica e 25 mijë studentëve ishin me bursa. Ndërkaq, rritja e numrit të universiteteve të fondacioneve në Turqi dhe sjellja e statusit ‘student me pagesë’ për studentët e këtyre univeristeteve, kontribuoi në rritje. Aktualisht, gjysma e studentëve të ardhur, apo 50-60 mijë, ndjekin studimet në univeristetet e fondacioneve me pagesë”, shtoi ai.

Kohëve të fundit, tha Akar, sistemi arsimor i univeristeteve turke ka fituar vrull të madh në Afrikë. Siç theksoi ai, studentët afrikanë më parë parapëlqenin Evropën ose SHBA-të, kurse tani, për studentët afrikanë universitetet turke konkurrojnë me universitetet kineze, gjë e cila sipas tij tregoj se Turqia ka shënuar avancim serioz në arsimin e lartë.

Akar po ashtu tregoi se studentët e huaj në Turqi më së shumti parapëlqejnë drejtimet si shkencat shoqërore dhe inxhinierinë, kurse kohëve të fundit interesim është shfaqur edhe për drejtimet si mjekësia, stomatologjia dhe farmaceutika.

Deniz Akar njoftoi se në kuadër të panaireve arsimore ndërkombëtare të IEFT-së, që këtë vit i kanë hapur dyert për herë të 33-të, kanë organizuar provime falas dhe konferenca me qëllim ndërgjegjësimin në lidhje me studimin jashtë vendit.

Ndërkaq, sipas tij, në panairet që do të mbahen këtë muaj në Ankara, Eskişehir, Stamboll dhe Izmir ekspertët në konferenca do t’u përgjigjen pyetjeve në lidhje me studimet jashtë vendit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit