OJQ-ja turke synon të ndërtojë 2.000 shtëpi për muslimanët Rohingya

Mos i humb

Një agjenci humanitare me bazë në Turqi synon të ndërtojë gjithsej 2.000 shtëpi si pjesë e një projekti strehimi për muslimanët Rohingya.

“Ne jemi këtu (në Bangladesh) për vëllezërit tanë Rohingya, të cilët janë njerëzit më të përndjekur në botë”, tha në një deklaratë me shkrim Mehmet Cengiz, kreu i Shoqatës Deniz Feneri.

Sipas OKB-së, që nga 25 gushti, 650 mijë muslimanë Rohingya kanë ikur nga Arakani në Bangladesh, si pasojë e dhunës nga ana e ushtrisë së Mianmarit.

Refugjatët janë duke ikur nga një operacion ushtarak në të cilin forcat e sigurisë dhe turmat budiste kanë vrarë meshkuj, gra dhe fëmijë, kanë plaçkitur shtëpitë dhe kanë djegur fshatrat e muslimanëve Rohingya.

Cengiz, së bashku me zëvendëskryetarin e shoqatës, Turan Yalcin, dhe Koordinatorin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Yavuz Inan, janë duke qëndruar në Cox’s Bazar në Bangladesh për të shqyrtuar projektin e strehimit.

“Ne kemi hartuar një projekt prej 1.000 shtëpish për vëllezërit tanë”, tha Cengiz, duke iu referuar projektit të ndërtimit që është duke vazhduar.

Duke falënderuar donatorët për mbështetjen e tyre, kreu i shoqatës tha: “Në fazën e parë, shpresojmë që të strehojmë 1.000 familje në 1.000 shtëpi. Ne synojmë 2.000 shtëpi”.

Ndërkohë, Inan tha se shoqata do të vazhdojë të ndihmojë refugjatët Rohingya në kampet në Cox’ Bazar dhe Kutupalong deri në përfundimin e krizës.

Sipas organizatës ‘Mjekët pa Kufij’, të paktën 9.000 muslimanë Rohingya janë vrarë në Arakan që nga 25 gushti deri më 24 shtator.

Në një raport të publikuar më 12 dhjetor, organizata humanitare globale tha se vdekja e 71.7 për qind ose 6.700 muslimanëve Rohingya është shkaktuar nga dhuna. Ato përfshijnë 730 fëmijë nën moshën 5 vjeçare.

OKB-ja ka dokumentuar përdhunime në masë, vrasje, përfshirë fëmijë, rrahje brutale dhe zhdukje nga ana e personelit të sigurisë. Në një raport, hetuesit e OKB-së kanë thënë se shkeljet e tilla mund të përbëjnë krim kundër njerëzimit.

Turqia ka kryesuar në ofrimin e ndihmave për refugjatët Rohingya, kurse Presidenti Recep Tayyip Erdoğan e ka ngritur çështjen në OKB./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit