OKB: Bombardimet në Gutën Lindore janë duke vazhduar

Mos i humb

Zëdhënësi i Zyrës Koordinative për Çështje Humanitare të Kombeve të Bashkuara (OKB), Jens Laerke, njoftoi se bombardimet ndaj rajonit të rrethuar të Gutës Lindore janë duke vazdhuar edhe përkundër vendimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe shpalljes së armëpushimit pesë orësh të Rusisë.

Zëdhënësi Laerke në një konferencë për media në zyrën e OKB-së në Gjenevë tha se sipas informatave të marra nga burimet në rajon, edhe në mëngjesin e ditës së sotme kanë vazhduar bombardimet ndaj Gutës Lindore.

Duke bërë të ditur se në sulmet e kryera gjatë ditës së diel nga regjimi i Asadit kanë humbur jetën 30 civilë, në mesin e të cilëve ndodheshin edhe gra dhe fëmijë, Laerke deklaroi se vendimi i KS-OKB-së për “armëpushim humanitar” 30-ditor është shkelur.

Laerke po ashtu njoftoi se autokolonat e ndihmave humanitare të OKB-së janë duke pritur të gatshme për Gutën Lindore dhe se për lëvizjen e tyre është i domosdoshëm ofrimi i sigurisë në rajon.

“Kur kushtet të jenë të përshtatshme, autokolonat me ndihma humanitare jetike do të lëvizin drejt disa zonave të Gutës Lindore”, tha Laerke, duke shtuar se në gatishmëri kanë edhe planin për evakuimin e qindra personave me probleme shëndetësore.

– “Çështja mes jetës dhe vdekjes”

Laerke tha se nuk mund të komentojë lidhur me shpalljen e “njëanshme” të armëpushimit pesë orësh nga Rusia, meqë nuk ka informata rreth detajeve të saj, mirëpo, sipas tij, është jetike zbatimi i menjëhershëm i vendimit të KS-OKB-së për armëpushim.

“U bëjmë thirrje të gjithë palëve urgjentisht ta bëjnë të mundur armëpushimin”, theksoi ai.

Laerke po ashtu nënvizoi se zbatimi i vendimit të KS-OKB-së është “një çështje mes jetës dhe vdekjes”.

– Të sëmurit dhe të plagosurit duhet të evakuohen

Edhe Tarik Jasareviç, zëdhënësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), tha se Gjysmëhëna e Kuqe Siriane ka listën e më shumë se një mijë të sëmurëve dhe të plagosurve të cilët duhet të evakuohen, por që nuk kanë ndonjë informatë lidhur me atë se kur do të ndodhin këto evakuime.

Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergey Shoygu, dje bëri të ditur se me urdhrin e presidentit të Rusisë Vladimir Putin, duke filluar nga 27 shkurti, çdo ditë mes orës 09:00 dhe 14:00 do të mundësohet e ashtuquajtura “pauzë humanitare” në Gutën Lindore.

Kryetari i Qendrës Ruse për Pajtim të Opozitarëve në Siri, Yuri Yevtushenko, mbrëmë deklaroi se regjimi i Asadit do ta respektojë këtë vendim.Me projekt-rezolutën e miratuar nga KS-OKB më 24 shkurt, me një votim unanim u vendos për të paktën një muaj armëpushim humanitar për dërgimin e ndihmave humanitare në Siri dhe veçanërisht për evakuimin e njerëzve të sëmurë dhe të plagosur rëndë në Gutën Lindore, e cila gjendet nën rrethimin e regjimit.

Rezoluta kërkon dërgimin e “sigurt”, pa pengesë dhe të vazhdueshëm të ndihmave humanitare në të gjithë Sirinë dhe ndalimin për të paktën 30 ditë të konflikteve “pa vonesë” nga të gjitha palët për evakuimin e “të sëmurëve dhe të plagosurve rëndë”.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit