OKB: Kriza e energjisë sjell Gazën në “prag të katastrofës”

Mos i humb

Zyra për Koordinim e Çështjeve Humanitare (OCHA) e OKB-së ka paralajmëruar se kriza e energjisë elektrike në Rripin e Gazës po e shtyn territorin e bllokuar palestinez në prag të katastrofës.

“Karburantet e urgjencës për objektet kritike në Gaza do të shterrohen brenda dhjetë ditëve të ardhshme”, tha OCHA përmes një deklarate me shkrim.

Zyra e OKB-së bëri të ditur se 6.5 milionë dollarë janë të nevojshme për të siguruar 7.7 milionë litra karburant emergjent në Gaza në vitin 2018, duke theksuar se “ky është minimumi i nevojshëm për të ndaluar një kolaps të shërbimeve”.

Rripi i Gazës ku jetojnë dy milionë njerëz si pasojë e bllokadës izraelite është përballur me mungesë të rëndë të energjisë elektrike që nga viti 2006.

Tashmë kriza ka detyruar disa spitale dhe qendra mjekësore që në ditët e fundit të pezullojnë shërbimet e pacientëve.

OCHA vlerëson se nevojiten 1.5 milionë litra karburant në muaj për funksionimin e plotë të objekteve kritike në Gaza.

“Aktualisht, gati dy milionë banorë palestinezë në Gaza, më shumë se gjysma e të cilëve janë fëmijë, furnizohen me energji elektrike për jo më shumë se 8 orë çdo ditë”, theksohet në deklaratë.

Koordinatori humanitar i veprimit për territoriet e okupuara, Roberto Valent, kërkoi që donatorët të ndërhyjnë për të siguruar që palestinezët e pambrojtur në Gaza të mund të kenë qasje në shërbimet shëndetësore, të ujit dhe kanalizimeve.

“Spitalet tashmë kanë filluar të mbyllen. Pa financim, më shumë ofrues të shërbimeve do të detyrohen të pezullojnë operacionet gjatë javëve të ardhshme. Situata do të përkeqësohet në mënyrë dramatike, me ndikime të mundshme në të gjithë popullsinë. Nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë”, tha Valent.

Edhe pse Rripi i Gazës kërkon rreth 600 megavat energji elektrike, aktualisht ai merr vetëm 120 megavat nga Izraeli dhe 32 megavat nga Egjipti.

Ndërkohë, sipas Autoritetet Palestinez të Energjisë, termocentrali i vetëm funksional i Gazës është vetëm në gjendje të gjenerojë 60 megavat energji elektrike./Rtv islam/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit