Ankara
Gjithsej 15 terroristë janë neutralizuar deri më tani gjatë ofensivës antiterroriste “Kthetra” që Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) e filluan të hënën në veri të Irakut.
Ministria turke e Mbrojtjes njoftoi në rrjetin social Twitter se operacioni i gjerë i nisur në rajonin Hakurk në pjesën veriore të Irakut kundër organizatës terroriste PKK është duke vazhduar me sukses.
Numri i terroristëve të neutralizuar ka shkuar në 15 pasi ushtria turke së fundmi neutralizoi gjashtë pjesëtarë të PKK-së.
“Njësitë e komandove janë duke i vazhduar aktivitetet për zbulimin dhe asgjësimin e bunkerëve, shpellave dhe pozicioneve të armëve të organizatës terroriste”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Në postimin e saj, ministria po ashtu ka shpërndarë edhe video dhe fotografi nga hyrja e komandove në një shpellë në kuadër të operacionit.
Ndryshe, operacioni antiterrorist në veri të Irakut zhvillohet me pjesëmarrjen e njësive artilerike, avionëve të Forcave Ajrore dhe komandove, me mbështetje edhe të helikopterëve “Atak”.
Në fushatën e saj më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra dhe fëmijë.


