
Me nisjen e seancës së Kuvendit ka nisur edhe protesta e gjashtë opozitës. Protesta u zhvillua jashtë godinës së Parlamentit për tre orë e 30 minuta, ndërsa më pas protestuesit u zhvendosën drejt ambienteve të Policisë së Tiranës për tu solidarizuar me protestuesit e shoqëruar nga policia.
Gjatë protestës te Parlamenti u dëgjuan thirrje kundër qeverisë. Protestuesit tentuan të çajnë tre herë kordonin e policisë dhe ia dolën në tentativën e katërt. Megjithatë policia arriti ta neutralizonte shpejt situatën. Gazetari Klajdi Bodlli raportoi për “BalkanWeb” se janë protestuesit e Unazës së Re ata që u konfrontuan fillimisht me policinë. Që në nisje u hodhën shashka, tymuese dhe bidona uji në drejtim të policisë. U raportua për dy policë të lënduar nga shashkat.
Tensione pati edhe te Drejtoria e Policisë së Tiranës, por rreth orës 15:00 opozitarët u zhvendosën te selia blu duke i dhënë fund protestës së sotme, e cila zgjati plot pesë orë
Mbyllet protesta e opozitës
ORA 15:00- Me një fjalë të nënkryetarit të PD-së, Edi Palokës opozita i ka dhënë fund protestës së saj të gjashtë. Ai ka deklaruar se rruga e tyre për rrëzimin e qeverisë nuk ndalet me kaq.
Opozita 5 orë protestë, turma drejt selisë blu
ORA 14:55- Ndërsa është protestuar për 5 orë, fillimisht te Parlamenti e më pas te Drejtoria e Policisë së Tiranës, protestuesit po lëvizin drejt selisë së PD. Pritet që aty të bëhet edhe mbyllja e protestës së sotme.
Opozita ultimatum policisë: Nuk lëvizim që këtu, lironi djemtë tanë


