Përpara bashkisë së Tiranës u zhvillua sot protesta e 24-të e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Partisë Demokratike si dhe Partisë së Lirisë me kërkesën për dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Ndryshe nga herët e tjera, sot protestuesit kanë shkuar para Bashkisë Tiranë me qese me mbetje në duar, simbol sipas tyre i plehrave të pambledhura në qytet prej ditësh.
Në një moment, thasët me mbetje janë hedhur në drejtim të godinës së bashkisë nga qytetarë, të cilëve iu është bashkuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi.
Në fjalën e tij para protestuesve Sekretari i Përgjithshëm i PL Tedi Blushi lëshoi akuza ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Jemi sot sërish këtu para këtij monumenti të krimit dhe korrupsionit për të protestuar kundër një armiku të qytetarëve të Tiranës, kundër një armiku të transparencës, kundër një armiku të llogaridhënies. Kundër një armiku të taksave tuaja. Dhe ndaj një armiku ne duhet të sillemi siç jemi sjellë kundër të gjithë armiqve të Shqipërisë për t’i treguar vendin’”, tha ai.
Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari në fjalën e tij përpara protestuesve është shprehur se sot ky është kryeqyteti i mbetjeve. Anëtarja e Këshillit Bashkiak, Ilda Zhulali u shpreh se, “sot në mëngjes kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj doli në përurimin e radhës në Kolegjin Europian që u hap në Tiranë. 100 mijë euro ka dhënë bashkia Tiranë për tre studentë pa patur asnjë detyrim ligjor. Po a e dini çfarë. Erion Veliaj kryetar i bashkisë së Tiranës refuzoi të jepte 100 euro bursë, të cilin e kishte detyrim ligjor, dy fëmijëve që rriten nga gjyshërit e tyre”.
Nënkryetari i këshillit bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti në fjalën e tij përpara protestuesve është shprehur se, Shqipëria është vendi që ka numrin më të lartë të emigrimit, të korrupsionit dhe të ardhurat më të ulëta në Europë. Shefi i organizimit në PD, Klevis Balliu në fjalën e tij përpara protestuesve është shprehur se “ne duhet të rezistojmë dhe të ngrihemi që kokën ta uli e keqja që është në pushtet”.
Drejtuesi politik i PD për Tiranën, Belind Këlliçi denoncoi në protestën e sotme përpara Bashkisë së Tiranës atë që e cilësoi si skandalin me hapjen e Kolegjit Europian në Tiranë, ku i ftuar për fjalën kryesore është pikërisht Erion Veliaj.
“Dita e sotme ka nisur me një aktivitet të shëmtuar, ku regjisor kryesor është ambasadori i BE, Gonzato, i cili ditën e sotme do u shesë të rinjve ekselentë të Tiranës si model suksesi Erion Veliajn, i cili është në hetim për vjedhjen e 132 milionë eurove nga inceneratori, të paktën 30 milionë eurove nga dosja 5 D” tha ai.