Koha e fjalëve ka mbaruar. OSBE kërkon rezultate konkrete për reformën zgjedhore dhe finalizimin e saj brenda korrikut, ndonëse programi i punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar shkon përtej shtatorit.
Mesazhin e tij, ambasadori e përcolli në mbledhjen e radhës të Komisionit të Reformës Zgjedhore që bashkëdrejtohet nga demokrati Bylykbashi dhe socialisti Çuçi. Pas fjalës së dy kryetarëve, mediat u ftuan të dalin jashtë, ndërsa ngritën kokë partitë e vogla opozitare.
“Transparenca me qytetarët është më e rëndësishme”, deklaroi Fatmir Mediu, kryetari i Partisë Republikane.
“Kjo është një gjë për të cilën kemi rënë dakord dhe kemi bërë një marrëveshje”, u përgjigj Çuçi.
Ndërsa zv/kryetari i LSI-së, Luan Rama tha: “Kush ka rënë dakord? Këtë vendim e merr Komisioni dhe ne nuk jemi shprehur akoma që kemi rënë dakord apo jo”.
Çështja e prezencës së kamerave ishte vetëm treguesi i një shqetësimi më të hershëm të partive më të vogla, të cilat i druhen një dakordësie në kurriz të tyre nga ana e dy të mëdhenjve.
“Mos e shisni si një zbulim të madh këtë çështje, pasi në jemi një komision që akoma nuk kemi filluar nga puna me reformën zgjedhore”, deklaroi Luan Rama.
Oerd Bylykbashi u shpreh: “Ky është një kalendar i miratuar dhe ne mund të biem dakord për ta përshpejtuar”.
“Mendoj se refoma do të mbarojë pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021″, tha Mediu.
“Të thuash në 6 mbledhje të njëjtën gjë do të thotë që ke xhiruar bosh”, u përgjigj Luan Rama.
Pas këtij debati, dy partitë e mëdha vendosën largimin e medias nga mbledhja.
Top Channel