Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka takuar kryeministrin e Belgjikës Alexander De Croo në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në kryeqytetin hungarez Budapest. Ajo me këtë rast ka shprehur mirënjohjen e saj për mbështetjen e palëkundur të Belgjikës për vendin tonë.
“Gjithashtu, theksova rëndësinë e përmbylljes me sukses të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe heqjes së masave ndaj Kosovës si një hap i domosdoshëm për të përparuar në rrugën tonë evropiane”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.
Për gati një vit e gjysmë, Kosova vazhdon të mbetet e sanksionuar nga vendosja e masave të Bashkimit Evropian për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri. Masat e BE-së përfshijnë suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për MSA, mos ftesën në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale, suspendimi i programimit të fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).