Pacolli BE-së: Mos e harroni Kosovën, jemi krijesë dhe pjesë natyrale e Europës!

Mos i humb

“Mos e harroni Kosovën. Kosova është krijesë e Bashkimit Europian dhe ne jemi pjesë natyrale e Europës. Baballarët që udhëtonin me hekurudhë përgjatë Europës 50 vjet më parë e kanë të vështirë t’i shpjegojnë fëmijëve të tyre sot pse ata nuk mund të udhëtojnë”, i’u tha ministri i jashtëm Behgjet Pacolli, homologëve të tij nga Bashkimi Europian mbledhur në Greqi.

Ministri i jashtëm Behgjet Pacolli adreson ministerialin e vendeve të Procesit të Vishegradit plus 4 vende të Ballkanit Perëndimor, me një fjalim ku tregon lidhjet e forta të Kosovës me Europën

Gjatë punimeve të ministerialit  të vendeve të Procesit të Vishegradit (Poloni, Hungari, Republikë Çeke, Sllovaki), plus vendet e Ballkanit Perëndimor, në forumin kushtuar zgjerimit, e mori fjalën dhe ministri i jashtëm, dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli.

I prezantuar nga nikoqiri, ministri i jashtëm grek Kotzias “si njeriu që përfaqëson Kosovën, vendin për të cilin punon shumë dhe e do shumë”, z. Pacolli mbajti një fjalim orientuar përgjithësisht tek lidhjet e forta tradicionale të Kosovës me Europën, posaçërisht me Bashkimin Europian.

Duke folur për këto lidhje, ai tha se “50 vjet më parë gjyshërit dhe baballarët e Kosovës udhëtonin lirisht me tren përgjatë Europës në hekurudha që sot janë vjetëruar. Sot ata e kanë të vështirë t’i shpjegojnë fëmijët dhe nipërve të tyre pse ata nuk kanë të drejtë të udhëtojnë”.

Duke vlerësuar Strategjinë e Zgjerimit si perspektiva unike për Kosovën dhe rajonin, shefi i diplomacisë kosovare,  shprehu shqetësimin që “një vend i krijuar nga Bashkimi Europian, me një legjislacion tërësisht sipas normave europiane, rrezikon të harrohet megjithatë, si tregon izolimi i qytetarëve të Kosovës për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave.”

Dhe më tej, ai vijoi: “për ta ilustruar rëndësinë tonë, po i referohem shembullit të fëmijëve tanë që shpesh nuk e ndërtojnë dot objektin e tyre në lojën Lego, sepse harrojnë ndonjë element të vogël… Pa ne, Europa nuk është e plotë, nuk është e qëndrueshme…. Po nëse fëmijët mund t’i këshilloj të përkujdesen për të gjithë pjesët e lojës së tyre, si përfaqësues i një vendi të vogël, e kam të vështirë t’ju këshilloj juve, përfaqësuesve të shteteve të mëdhenj. …Megjithatë ju sugjeroj: sa herë që shikoni fëmijët që luajnë këtë lojë, kujtohuni për Kosovën”, tha ai.

Duke ju referuar fjalimit të Sekretarit të shtetit për punët europiane dhe marrëdhëniet me jashtë, Ivan Korçok,  ministri Pacolli i bëri thirrje publike atij që Sllovakia ta njohë Kosovën sa më shpejt si kontribut për bashkëpunimin europian.

Pjesëmarrja e ministrit të jashtëm Behgjet Pacolli në ministerialin e Sunionit, Greqi, vijon me aktivitete të tjera, si dhe takime dypalëshe./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit