Pagesa në Rrugën e Kombit: bizneset e Kosovës “kërcënojnë” me bojkot të importeve nga Shqipëria

Mos i humb

Nga Bashkim Kastrati

Siç duket vendimi i Qeverisë së Shqipërisë për vendosjen e pagesës për Rrugën e Kombit ka qenë e ngutshme. Ky vendim ka nxitur shumë debate në Kosovë dhe në Shqipëri. Kundërshtimi kryesor ka të bëjë me çmimin e lartë të kësaj pagese.

Sipas vendimit, në pjesën e Shqipërisë e cila është e gjatë 114 kilometra, për kalim në dy drejtime do të paguajnë tarifën e cila fillon nga 2.5 euro për motorët, 10 euro për veturat, deri në 45 euro për kamionët e tonazhit të rëndë.

Kjo ka irrituar jashtëzakonisht bizneset e Kosovës që tash e një kohë importojnë produkte të ndryshme nga Shqipëria duke hequr dorë nga ato nga Serbia. Këto biznese ditë më parë kanë organizuar një protestë me kamionë në autostradë.

Ata thonë se nëse do të vazhdojë tarifimi i rrugës me këtë çmim, do të detyrohen që të ndërpresin importimin e produkteve nga Shqipëria dhe të shohin mundësinë e importimit nga vendet fqinje.

Kamionët e disa bizneseve nga Kosova qarkullojnë dhjetëra herë brenda një ditë në Rrugën e Kombit, dhe kostoja vjetore e tyre kalon mbi 1 milion euro.

Sipas njohësve të fushës së ekonomisë, në këtë pikë ka dështuar qeveria shqiptare që të bëjë llogaritë. Sipas tyre, parashikimi i fitimit të disa miliona eurove përmes kësaj tarife mund t’i kushtojë ekonomisë së Shqipërisë me humbjen e më shumë milion eurove nëse bizneset kosovare ndalojnë importimin nga Shqipëria, ndërsa parashikohet që të ketë ndikim edhe në uljen e numrit të turistëve.

Nga kjo tarifë janë “goditur” edhe qytetarët e pjesës veriore të Shqipërisë, pjesë kjo që konsiderohet të jetë më e varfra. Banorët e këtyre zonave kanë protestuar të shtunën kundër kësaj tarife duke u përleshur me policinë dhe duke djegur pikat që ishin ndërtuar për marrjen e saj.

Çmimi i tarifës është kundërshtuar edhe nga krerët e shtetit të Kosovës. Presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj kanë deklaruar se së pari duhet që rruga të përfundohet e pastaj të vendoset taksa.

Për këtë çështje edhe ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka dërguar një shkresë zyrtare homologut të tij, ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë në Qeverinë e Shqipërisë, Demian Gjiknuri.

Lekaj ka thënë se tarifa aktuale është mjaft e lartë dhe se ai ka marrë shumë ankesa nga ana e qytetarëve të cilët kanë deklaruar se kjo tarifë mund të jetë pengesë për frekuentimin më të shpeshtë të Shqipërisë.

Lekaj ka deklaruar se ka pasur ankesa të shumta edhe nga përfaqësuesit e bizneseve të Kosovës dhe se ka kërkuar një takim më homologun ministrin Gjiknuri, që të bisedohet dhe të shihet se a ka mundësi të diskutohet kjo tarifë dhe të zbritet.

Autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën ishte lëshuar në qarkullim në vitin 2009. Ndërkaq, Kosova përfundoi ndërtimin e autostradës në vitin 2013.

Sipas shifrave zyrtare vetëm në vitin 2017 në kufirin me Shqipëri janë regjistruar mbi 2 milionë hyrje dhe dalje të automjeteve, kamionëve dhe autobusëve.

Të dhënat zyrtare tregojnë se vlera e produkteve të cilat importohen nga Shqipëria në vit kapin vlerën e mbi 99 milionë, derisa vlera e produkteve të Kosovës që eksportohen në Shqipëri janë vetëm 15 milionë euro.

Ndryshe, përveç tarifës rrugore që ka vendosur shteti i Shqipërisë edhe shteti i Kosovës do të vendosë një tarifë të tillë për pjesën e autostradës së Kosovës. Kjo shumë pritet të jetë simbolike dhe do përputhet më kushtet ekonomike të qytetarëve të Kosovës. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit