Pakistani dënon veprimin e Indisë në lidhje me Kashmirin

Mos i humb

Pakistani ka dënuar dhe ka refuzuar vendimin e qeverisë së Indisë për të hequr statusin special që i ishte dhënë rajonit të kontestueshëm të Xhamu dhe Kashmir.

“Pakistani fuqishëm dënon dhe refuzon njoftimin e bërë nga Qeveria e Indisë në lidhje me rajonin Xhamu dhe Kashmir të okupuar nga India”, tha nënjë deklaratë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Mohammad Faisal.

“Asnjë hap i njëanshëm nga qeveria e Indisë nuk mund të ndryshojë statusin e kontestueshëm, siç është ruajtur nga rezolutat e KS-OKB-së. E as që do të jetë kjo e pranueshme për popullin e Xhamu dhe Kashmir dhe Pakistanin”, tha Faisal.

Ai shtoi se Pakistani do të zbatojë të gjitha opsionet e mundshme për të kundërshtuar hapat e paligjshme.

Ministri i jashtëm, Shah Mahmood Qureshi, nëpërmjet postimeve në rrjetet sociale tha se Islamabadi do të “theksojë fuqishëm” qëndrimin e tij për çështjen Kashmirit në “takimet me delegacionin e SHBA-ve që viziton Pakistanin dhe me Komunitetin Ndërkombëtar në përgjithësi”.

“Pakistani riafirmon përkushtimin e qëndrueshëm ndaj kauzës së Kashmirit dhe mbështetjen e tij politike, diplomatike dhe morale ndaj popullit të Xhamu dhe Kashmirit të okupuar për realizimin e të drejtave të patjetërsueshme për vetëvendosje”, shtoi ai.

Më herët, India tërhoqi statusin special që i ishte dhënë shtetit me shumicë muslimane duke shkaktuar frikën se qeveria e Indisë do të tentojë të ndryshojë përbërjen demografike të rajonit të kontestuar duke u lejuar kolonëve hindu që të blejnë tokë.

Më herët, presidenti i Pakistanit, Arif Alvi, e cilësoi njoftimin e qeverisë së Indisë si një shkelje të rezolutave të KS-OKB-së e cila bën thirrje për organizimin e referendumit në rajon.

“Tentimi i Indisë që edhe më tej të ndryshojë statusin e Xhamu dhe Kashmir të okupuar nga India është në kundërshtim me rezolutat e KS-OKB-së dhe në kundërshtim me vullnetin e popullit të Kashmirit. Pakistani mbështet dhe insiston në një zgjidhje paqësore të bazuar në vullnetin e popullit të Kashmirit dhe qëndron me ta në kohën kur kanë nevojë”, shkroi ai.

Alvi gjithashtu thirri një seancë të përbashkët të Parlamentit për të martën për të diskutuar situatën në Kashmir pas vendimit kontrovers, njoftoi media shtetërore Radio Pakistan.

Në ndërkohë, shefi i ushtrisë së Pakistanit, gjenerali Qamar Javed Bajwa, thirri një mbledhje urgjente të udhëheqësve të ushtrisë në selinë e ushtrisë në qytetin e Rawalpindi.

Që nga viti 1947, Xhamu dhe Kashmir gëzoi dispozita të veçanta për të miratuar ligjet e veta. Dispozita e veçantë mbronte po ashtu ligjin e saj të shtetësisë që nuk lejonte të huajt të vendoseshin dhe të zotëronin tokat në territor.

Xhamu dhe Kashmir, një rajon në Himalajet me shumicë muslimane, është ndarë nga India dhe Pakistani dhe pretendohet i tëri nga të dyja shtetet.

Që nga ndarja e tyre në vitin 1947, dy shtetet kanë zhvilluar tre luftëra, në vitet 1948, 1965 dhe 1971. Dy prej këtyre luftërave janë zhvilluar shkaku i Kashmirit.

Disa grupet në Xhamu dhe Kashmir, kanë luftuar për pavarësi kundër sundimin indian apo për bashkim me Pakistanin fqinj.

Sipas disa organizatave për të drejtat e njeriut, mijëra njerëz kanë humbur jetën në konfliktin në rajon që nga viti 1989.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit