Pamjaftueshmëria e vitaminës B12 çon në lodhje, anemi, dëmtim të kockave dhe nervave

Mos i humb

Mungesa e kësaj vitamine në organizëm mund ta konfirmoni me një analizë gjaku. Kategoritë që rrezikojnë më tepër nga këto ndërlikime, si dhe këshillat për sigurimin e nivelit të duhur të vitaminës B12 nëpërmjet ushqimit dhe shtesave në suplemente.

Nëse ndjeheni shpesh të lodhur pa shkak, keni probleme me aneminë, dobësim të kockave dhe ngarkesë të nervave, përgjigja mund të jetë mungesa e vitaminës B12, e cila manifestohet me shqetësime të kësaj natyre. Bluzat e bardha vënë në dukje se prania e kësaj vitamine është e domosdoshme për mirëfunksionimin e organizmit.

Shenja të tjera që mund të vënë në dukje mungesën e kësaj vitamine janë edhe humbja në peshë, kapsllëku dhe diarretë e shpeshta, të vjellat, fryrjet e barkut dhe shtimi i gazrave, gjuha që ka marrë ngjyrë si të kuqe, mpirja dhe ndjesia shpimit në duar dhe këmbë, vështirësitë më përqendrimin dhe humbja e ekuilibrit.

Sipas mjekëve, në shumicën e rasteve personat me mungesë të vitaminës B12 mund të kenë probleme të lehta, por ka edhe shumë raste të tjera kur mungesa e kësaj vitamine mund të shoqërohet edhe me pasoja më të rënda, të cilat manifestohen me të menduarit konfuz, humbje kujtese, dhe demencë, e cila në raste të rënda është e pakthyeshme. Nivelet e ulëta të Vitaminës B12 mund të shkaktojnë gjithashtu neuropati, anemi dhe dobësi të kockave. Kjo vitaminë është një lëndë ushqyese e rëndësishme që ndihmon trupin të prodhojë qelizat e kuqe të gjakut.

Nëse keni mungesë kronike të Vitaminës B12, trupi juaj nuk prodhon sasinë e duhur të qelizave të kuqe të gjakut, e cila mund të çojë në anemi’, bëjnë me dije bluzat e bardha.

Lidhur me faktin se sa vitaminë i nevojitet trupit, mjekët e QSUT-së thonë se: “Rekomandohet për të rriturit mbi moshën 14 vjeç marrja e të paktën 2.4 mikrogramë të vitaminës B12 në ditë, ndërsa gratë shtatzëna, ose me fëmijë në gji kanë nevojë për më shumë. Nëse mendoni se nuk jeni duke marrë sasinë e nevojshme të vitaminës B12, konsultohuni me mjekun, i cili mund të sugjerojë marrjen e një suplementi. Por, mungesa serioze e vitaminës B12 kërkon injeksione për të marrë dozën e duhur të saj”.

Produktet shtazore si mishi, pula, prodhimet e detit dhe produktet e përditshme si qumësht, vezë, kos dhe djathë janë burimet më të mira të vitaminës B12. Mjalti, perimet dhe frutat nuk janë burime të vitaminës B12, ndaj kjo është arsyeja pse njerëzit që ndjekin një dietë vegjetariane nuk marrin mjaftueshëm këtë vitaminë dhe janë më në rrezik për të zhvilluar ndërlikimet e përmendura më lart.

Kështu, nëse jeni vegjetarian, konsumoni një mëngjes me drithëra të pasuruar me vitaminën B12. Ju gjithashtu mund të merrni një shtesë të kësaj vitamine, e cila rekomandohet për nënat shtatzëna dhe nënat që kanë fëmijë në gji dhe janë vegjetarine. Ndonjëherë mungesa e vitaminës B12 shkaktohet nga rrethana të tjera veç dietës. Kur trupi juaj nuk përthith siç duhet vitaminën B12, do t’ju duhet ndihma e mjekut për të arritur nivelet e duhura të saj./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit