Zv/presidenti i Parlamentit Europian, Rainer Wieland nuk ka dhënë shpresa se qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza brenda këtij viti. Wieland u ka bërë thirrje udhëheqësve të Kosovës që mos të japin premtime për liberalizim të vizave.
Sipas tij, ka pak shpresa që në Parlamentin Europian do të votohet dokumenti për liberalizim të vizave për Kosovën.
“Unë për momentin nuk shoh se dokumenti do të vie dhe do të votohet në Parlamentin Europian edhe pse po insistohet që të plotësohen kushtet. Shumë gjëra ende duhet të kryhen , po shoh që vendi ka bërë progres dhe ne jemi të gatshëm të mbështesim vendin në gjërat të cilat duhet të kryhen. I rekomandoj të gjithë që të mos bëjnë premtime për liberalizimin e vizave”, tha Wieland, në një konferencë për shtyp pas takimit me Grupin Parlament të LDK-së.
Sipas tij, liberalizimi nuk mund të ndodhë shumë shpejt por në një të ardhme do të ketë diçka në këtë drejtim.
“Nuk thash që nuk ka një mundësi për liberalizim të vizave në Kosovë por për momentin nuk e shoh që ka ndonjë dokument që do të vie në Parlamentin Europian”./Kosova Post/


