Parlamenti Europian miraton Raportin e Progresit për Kosovën

Mos i humb

Parlamenti Europian me 393 vota pro, i ka dhënë përkrahje Raportit të Progresit për Kosovën në seancën plenare të Parlamentit Europian.

Nga 603 votues gjithsejtë, prej tyre 139 kanë qenë kundër dhe 71 abstenime.

Në këtë raport, kërkohet që të mbahet edhe premtimi për liberalizim të vizave për Kosovën.

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Europian, Igor Soltes ka deklaruar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, duke kërkuar nga Bashkimi Evropian që të mbajë premtimin e dhënë.

“Është e rëndësishme që Kosova të qëndrojë në rrugën e saj drejt procesit të integrimit në BE. Megjithatë, është gjithashtu e rëndësishme që BE të pranojë plotësisht se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për regjimin e liberalizimit të vizave. Prandaj, pres që BE të mbajë premtimin e saj dhe të japë regjimin pa viza në Kosovë sa më shpejt që të jetë e mundur. Qeveria e Kosovës duhet të vazhdojë me reformat tashmë në progres dhe të përqendrojë gjithë energjinë në zbatim të plotë në praktikë. Qeveria duhet të vazhdojë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe gjithashtu të forcojë përpjekjet për të pasur sistem gjyqësor të pavarur dhe plotësisht funksional’, ka thënë Soltes.

Sipas tij, që rajoni të jetë stabil duhet të vazhdohet dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Për të mbajtur stabilitetin në rajon, është me rëndësi të madhe të vazhdohet dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në një mënyrë të qëndrueshme dhe të qetë. Sundimi ndërkombëtar i ligjit duhet të jetë parimi kryesor në këtë dhe të merret parasysh plotësisht nga të gjithë akterët e përfshirë politik. Është gjithashtu e rëndësishme për të dy palët që të shmangin çdo provokim dhe tension, siç është rasti i rritjes së fundit të tatimit mbi mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina në 100%. Kjo lloj mase e tepruar ndikon vetëm negativisht në marrëdhëniet në mes të Kosovës, Serbisë dhe vendeve të tjera fqinje dhe vetëm e komplikon më tej situatën. Kosova duhet të respektojë Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (Cefta) dhe frymën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit midis BE-së dhe Kosovës “, ka pohuar Soltes.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit