Partia pa emër dhe kryetar e ish-vetëvendosësve: ja për ç’arsye mbajnë peng opinionin

Mos i humb

Nga Blendi Gashi

Ish-vetëvendosësit që aktualisht njihen si Grupi i Pavarur i Deputetëve (GDP) zgjodhën 1 Majin, Ditën e Punëtorëve për të njoftuar opinionin se po formojnë parti të re dhe këtë e bën nga Kuvendi i Kosovës në një konferencë për media.

Për të folur nuk doli Dardan Molliqaj, njeriu që trazoi partinë e Albin Kurtit dhe që si vetëvendosës ishte më kritiku ndaj partive që për vite të tëra udhëheqin vendin, PDK-LDK, AAK, por doli ish-kryevetëvendosësi Visar Ymeri dhe ish-analisti, tani deputet, Dukagjin Gorani.

Ata shpalosën disa detaje për planin dhe organizimin e tyre, ku thanë se “angazhohemi për një sistem politik që nuk favorizon dhe as nuk diskriminon askënd”, ndërsa përmendën edhe të drejtën për vetëvendosje ku thanë se i takon popullit.

Deklarata e parimeve mbi bazën e së cilës do të vazhdojnë rrugën politike ish-vetëvendosësit, qëllimin parësor ka siç thuhet “avancimin e angazhimit publik për zhvillim shoqëror dhe shtegdalja nga një dekadë e keq-qeverisjes shtetërore”.

Por përtej kësaj, ata në konferencë lanë shumë enigma; nuk qenë të gatshëm të prezantojnë para opinionit as emrin e partisë, pra me cilën tani e tutje do njihen në skenën politike kosovare, por as prijësin e tyre.

I pyetur rreth ermit të partisë, Ymeri tha se ende nuk është vendosur për këtë.

Nuk është vendosur ende për emrin, por ka disa propozime sapo të kemi diçka do ta publikojmë. Kemi bashkëpunëtorë në shumë komuna të Kosovës, jemi duke punuar në këtë drejtim, por gjithsesi kjo çështje do pak kohë. Deri më tani kemi një grup njerëz që janë në mendim të njëjtë me ne”, u shpreh ai, pa treguar se kur do ta bëjnë një gjë të tillë dhe pa treguar se ç’figura mund t’iu bashkohen.

Ymeri nuk tregoi as kush do jetë kryetari i partisë, pra nëse ai do jetë udhëheqësi apo dikush tjetër.

Vetëm pak orë pas konferencës, deputetja e këtij grupi, Besa Baftiu në një emision televiziv ka lënë të kuptohet se kryetar do jetë Shpend Ahmeti e emri i partisë do quhet Partia Social Demokrate e Kosovës (PSD), emër ky i njohur në skenën politike pasi për ca vite partia e politikanes veterane Kaqusha Jashari ka pasur këtë emër, çka raportohet se kanë marrë lejen për këtë gjë, por që asgjë s’ka zyrtare.

Megjithatë shtrohet pyetja: pse ish-vetëvendosësit po mbajnë të fshehur emrin e partisë dhe kryetarit?

Padyshim se arsyeja kryesore është që t’i bëjnë marketing sa më shumë vetvetes në opinion, pasi sa më shumë e vonojnë emrin e partisë dhe kreut të saj, mediat aq më kërkuese do jenë në drejtim të tyre, ku vazhdimisht do i kontaktojnë duke i vendosur në qendër të vëmendjes.

Arsye tjetër është se mund të ketë mospajtime mes grupit rreth emrit të subjektit, konkretisht rreth emërtimit si Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD), pasi qysh në start do të merrnin kritika nga analistët, por edhe mund të ironizohen nga rivalët politikë, se ç’risi mund të sjellë për qytetarët kjo parti kur edhe emrin e ka “copy/past”.

Pra, ish-vetëvendosësit mund të jenë ende të pavendosur përfundimisht rreth kësaj çështjeje, ndërsa për kreun e partisë Shpend Ahmeti lehtë mund të jetë prijësi, jo vetëm pse është kryetar i Prishtinës, por cilësohet edhe si një i afërt me ndërkombëtarët. Por edhe për këtë mbetet të pritet zyrtarizimi.

Kujtojmë se grupi prej 11 deputetësh që po njihet aktualisht se Grupi i Pavarur i Deputetëve (GDP) dhe do njihet kështu deri në zyrtarizimin e emrit të partisë, disa muaj më parë dhanë dorëheqje nga Vetëvendosje me arsyetimin se Albin Kurti ka “kapur” partinë. /tesheshi.com/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit