
Partitë politike në Kosovë kanë filluar të bëjnë kalkulimet e tyre për koalicione në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të caktohen pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës më 22 gusht.
Por, asnjëra prej tyre nuk ka treguar se me kënd do të bëjnë koalicion dhe nëse do të ketë bashkim të forcave para se të mbahen zgjedhjet.
Analistë të çështjeve politike japin mendime të ndryshme rreth krijimit të koalicioneve parazgjedhore si formë e përgatitjes për të marrë pushtetin.
Imer Mushkolaj, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare që pritet të shpallen mund të ketë koalicione parazgjedhore, por jo të partive të mëdha politike.
“Pres që ‘Lidhja Demokratike e Kosovës’ (LDK), ‘Partia Demokratike e Kosovës’ (PDK) dhe ‘Vetëvendosje’(VV) të shkojnë vetëm në zgjedhje, ndërkohë që nuk e përjashtoj mundësinë e një koalicioni ndërmjet ‘Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës’ (AAK), ‘Partisë Socialdemokrate’ (PSD) dhe ‘Aleanca Kosovare e Re’ (AKR), ndërkaq, partia ‘Nisma’ nuk jam i sigurt se mund t’ju bashkohet këtyre të fundit, por nuk përjashtohet mundësia t’i bashkohet edhe PDK-së”, thekson Mushkolaj.


