Pas 28 vitesh pavarësi, Maqedonia e Veriut një hap afër anëtarësimit në NATO

Mos i humb

Republika e Maqedonisë së Veriut shënon 28-vjetorin e pavarësisë së saj, si shtet që ndodhet një hap para anëtarësimit në NATO dhe në pritje të datës për fillim të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë erdhi si rezultat i disa trazirave politike dhe përplasjeve në fillim të viteve të 90-ta të shekullit 20. Pas periudhës së krizave politike në vitet e 80-ta, erdhi deri tek shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Pas kësaj, u formuan shtete të pavarura, mes të cilave edhe Republika e Maqedonisë e atëhershme, sot Republika e Maqedonisë së Veriut, e cila shënon 28-vjetorin e mëvetësisë dhe pavarësisë, pas referendumit të suksesshëm që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991, në të cilin qytetarët u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran.

Mbi 95 për qind e qytetarëve që votuan në referendum u përgjigjën pozitivisht në pyetjen: “A jeni për një Maqedoni të pavarur me të drejtë të bashkohet në një aleancë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë?” Më herët, më 25 janar 1991, u miratua Deklarata e Pavarësisë nga përbërja e parë shumëpartiake parlamentare e vendit. Një hap i rëndësishëm për shtetin ishte miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor 1991.

Pas shpalljes së pavarësisë, shtetin e Maqedonisë mes të parave e njohën Turqia dhe Bullgaria, si dhe Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë e Hercegovina, dhe më pas edhe shtetet e tjera.

Pas miratimit të Deklaratës së Sovranitetit të Shtetit, Kiro Gligorov u zgjodh presidenti i parë i shtetit të pavarur dhe sovran nga ana e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë më 27 janar 1991.

Pavarësia monetare e shtetit u bë me paraqitjen e denarit, më 26 prill 1992, dhe më pas u formua edhe ushtria e saj, e cila e feston ditëlindjen më 18 gusht.

Subjektiviteti ndërkombëtar-ligjor i shtetit u konfirmua përfundimisht më 8 prill 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Maqedonia u pranua si anëtarja e 181-të e plotfuqishme e OKB-së.

Për shkak të kundërtimit dhe presioneve nga ana e Greqisë, e cila nuk e pranonte emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, anëtarësimi në OKB u bë me referencën e përkohshme: Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (FYROM).

Bisedimet me Greqinë për zgjidhjen e çështjes së emrit

Me kalimin e viteve, bisedimet për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë kohë pas kohe vazhdonin dhe ndërpriteshin, ndërsa u ripërtërinë pas ndryshimit të qeverisë në vend, kur në vitin 2017 në pushtet erdhi Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) e udhëhequr nga kryeministri aktual Zoran Zaev. Bisedimet midis Shkupit dhe Athinës u aktualizuan pas takimit të parë të kryeministrit Zaev me kryeministrin e atëhershëm grek Alexis Tsipras, gjatë Samitit në Davos në janar 2018.

Pas bisedimeve për zgjidhjen e çështjes që mbaheshin në përkujdesjen e OKB-së, u arrit Marrëveshja e Prespës (Zgjidhja e çështjes së emrit dhe marrëveshja e partneritetit strategjik). Marrëveshja u nënshkrua në qershor 2018 në pjesën greke të Liqenit të Prespës.

Sipas marrëveshjes, Maqedonia e ndryshoi emrin nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa pas nënshkrimit të marrëveshjes u bënë hapat për zbatimin e saj, siç ishte mbajtja e referendumit në Maqedoninë e Veriut në shtatorin e kaluar, ndërsa në Kuvend u miratuan ndryshimet kushtetuese me 2/3 e votave për ndryshim të emrit kushtetues.

Marrëveshja gjithashtu u ratifikua edhe nga Parlamenti grek, ndërsa pastaj erdhën fazat e mëvonshme të parapara në marrëveshje dhe përmirësimi i marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje, të cilat me Marrëveshjen e Prespës zgjidhën një mosmarrëveshje disadekadashe dhe një çështje të hapur që ishte një pengesë për integrimin euro-atlantik të vendit.

Rruga drejt NATO-s

Anëtarësimi në aleancën më të madhe ushtarake dhe politike në botë, NATO, në vitet e kaluara ka qenë një synim strategjik i vendit. Në vitin 1999, në Samitin në Washington, Maqedonia u bë kandidate për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO.

Që kur u bë kandidate për anëtarësim në NATO, vendi ishte më afërt inkuadrimit në aleancë në samitin e mbajtur në Bukuresht para 11 vitesh. Atëherë, në vitin 2008, Maqedonia u vlerësua si plotësisht e përgatitur për të marrë ftesën, por Greqia përdori fuqinë e vetos dhe kushtëzoi pranimin e Maqedonisë së Veriut me zgjidhjen e çështjes së emrit, që ishte pengesa më e madhe për procesin e anëtarësimit.

Pasi u arrit Marrëveshja e Prespës, u hap dera për anëtarësim në Aleancë. Në korrik të vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut mori ftesë nga NATO për të filluar bisedimet për anëtarësim.

Vendet anëtare të NATO-s në shkurt të këtij viti nënshkruan Protokollin për pranimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Për t’u bërë shtet-anëtar i plotfuqishëm i NATO-s, Protokolli i anëtarësimit duhet të ratifikohet në parlamentet e të gjithë vendeve anëtare të Aleancës.

Anëtarësimi në BE si qëllim strategjik

Gjithashtu, edhe anëtarësimi në BE për Maqedoninë e Veriut është një prioritet i lartë. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, e cila rregullon marrëdhëniet e vendit me BE-në u nënshkrua në 9 prill 2001.

Në vitin 2005, Maqedonia mori statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, ndërsa në vitin 2008, mori edhe rekomandim nga Komisioni Evropian për të filluar bisedimet për anëtarësim.

Greqia, duke ndjekur shembullin e NATO-s, ka bllokuar edhe procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, duke e kushtëzuar me një zgjidhje paraprake të çështjes së emrit. Tani që është arritur Marrëveshja e Prespës, mbetet që vendi të zbatojë reformat e nevojshme të përshkruara në raportet vjetore të Komisionit Evropian, në mënyrë që të përparojë në procesin e integrimit evropian.

Përveç marrëveshjes për zgjidhjen e çështjes së emrin me Greqinë, në gusht të vitit 2017 u nënshkrua Marrëveshja për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunimit midis Maqedonisë s  Veriut dhe fqinjit të saj lindor, Bullgarisë. Marrëveshja synon të zhvillojë bashkëpunimin midis dy vendeve fqinje si dhe të krijojë përputhshmëri për çështje të caktuara historike.

Pas 28 vitesh të pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, anëtarësimi në BE dhe NATO mbetet qëllim strategjik i vendit. Sipas zyrtarëve qeveritarë, pritet që vendi të bëhet pjesë e NATO-s deri në fund të këtij viti, ndërsa në lidhje me fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE, zyrtarë të lartë evropianë kanë paralajmëruar se një vendim i tillë mund të merret në tetor të këtij viti.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit