PD dorëzon në Kuvend projektvendimin për heqjen e plotë të imunitetit të deputetëve

Mos i humb

Sekretari për Reformën Zgjedhore dhe përfaqësues ligjor i Partisë Demokratike, Rezart Kthupi, në një deklaratë për mediet u shpreh sot se kjo parti ka depozituar një projektpropozim në Kuvendin e Shqipërisë me qëllim krijimin e mekanizmit ligjor për heqjen e plotë të imunitetit të deputetëve.

Sipas Kthupit, Partia Demokratike ka mbajtur një qëndrim konstant dhe koherent mbi imunitetin e deputetit, duke e konsideruar këtë të fundit një rudiment dhe një simbol të pabarazisë ndërmjet zgjedhësve dhe të zgjedhurve.

“Projektvendimi për ndryshimin e rregullores së kuvendit krijon bazën ligjore që deputetët brenda 5 ditësh nga miratimi i propozimit dhe brenda 5 ditësh nga fillimi i legjislaturës të depozitojnë pranë kryetarit të kuvendit një deklaratë me shkrim me të cilën heqin dorë nga procedurat parlamentare për heqjen e imunitetit duke i hapur plotësisht rrugën drejtësisë në marrjen e masave ndaluese të arrestit në rastet e hetimeve penale në ngarkim të tyre”, u shpreh ai.

Partia Demokratike, vijoi Kthupi, vlerëson se reforma në drejtësi, të cilën ajo e ka mbështetur në çdo hap, ka prodhuar më në fund një drejtësi të pavarur nga politika, e cila ka krijuar besimin dhe ka mbështetjen e gjerë qytetare në punën e saj për hetimin dhe goditjen e korrupsionit e lartë të politikës dhe administratës shtetërore.

“Në kushtet e një drejtësie të pavarur partia demokratike vlerëson se çdo qëndrim kundër heqjes së plotë të imunitetit për deputetët është një tentative për të mos lejuar hetimin e korrupsionit të politikanëve apo të njerëzve të lidhur me ta”, tha Kthupi, duke ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që të votojnë projektvendimin.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit