
Parlamenti Europian ka votuar të enjten për të vazhduar mandatin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ky votim ka qenë pjesë e një hapi ligjor, në mënyrë që të vazhdohet mandati i këtij procesi edhe në kohën e tranzicionit, pasi zgjedhjet në Bashkimin Europian do të mbahen në muajin maj.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Tanja Fajon ka thënë në një postim në Twitter se tani i takon Këshillit Europian të bëjë punën e tij.
“Shumica kanë votuar në të mirë të liberalizimit të vizave për Kosovën. I bëjmë thirrje Këshillit Europian të veprojë TANI”, është shprehur ajo.
Parlamenti Europian ka diskutuar për këtë çështje të mërkurën mbrëma dhe në mesin e diskutimeve mes përfaqësuesve europianë, ka pasur dallime të qarta në qëndrime për këtë çështje.
Fajon e ka thënë të mërkurën se Bashkimi Europian ka dështuar që të realizojë premtimet e tij ndaj Kosovës.


