Peleshi: Struktura e Mbrojtjes Civile, tashmë e anëtarësuar në BE

Mos i humb

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot se anëtarësimi i Shqipërisë në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile është një lajm i madh pasi mund të konsiderohet si një copëz e integrimit të Shqipërisë në BE.
Gjatë shqyrtimit në Komisionin e Sigurisë të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes me Bashkimin Evropian, për pjesëmarrjen e Shqipërisë në mekanizmin e mbrojtjes civile”, Peleshi informoi se ky është një mekanizëm i vendeve anëtare të BE-së, por që është i hapur tani edhe për vende të tjera, me kushtin që duhet të plotësojnë të gjitha kriteret.
“Ne i kemi plotësuar në kohë rekord të gjitha kriteret. Sot që flasim kemi marrë miratimin e anëtarësimit në Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile. Kjo është një copëz integrimi i Shqipërisë në BE, pra kemi një nga strukturat të anëtarësuara tashmë në BE që është struktura e Mbrojtjes Civile. Ky është një lajm shumë i madh për Shqipërinë”, tha Peleshi.
Peleshi theksoi se veç përfitimeve, anëtarësimi në këtë mekanizëm bazohet te solidariteti i të gjitha vendeve por edhe përdorimi me eficiencë i burimeve.
“Ne jemi edhe për të kontribuar sa herë të ketë nevojë sidomos në vende fqinje si Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut”, tha ai.
Ndërsa gjatë shqyrtimit të disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura”, Peleshi tha se “sportistët elitarë nuk janë një shpikje e jona”.
“Në disa vende të NATO-s, sportistët elitarë marrin grada honorifike, si në rastin e Italisë dhe të Greqisë. Ata na japin edhe ne përfitim shumë të madh për të lartësuar emrin e Shqipërisë dhe imazhin e dinjitetin e FA-së”, shtoi ai.
- ISLAMSHOP.CH -spot_img
- ISLAMSHOP.CH -spot_img

Të fundit